Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 10 tonë mallra të padeklaruara gjatë kontrollit të një kamioni në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar në Vërmicë. Vlera e mallrave të zbuluara llogaritet të jetë rreth 154 mijë dollarë amerikanë, përcjell albinfo.ch.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, kamioni kishte përfunduar procedurat doganore përmes deklaratës së pararritjes, por ishte përzgjedhur për kontroll shtesë në bazë të parametrave të menaxhimit të riskut.
Zyrtarët doganorë kanë kërkuar që automjeti t’i nënshtrohej kontrollit me skaner dhe matjes së peshës, ku janë evidentuar mospërputhje ndërmjet peshës së deklaruar dhe asaj reale.
Gjatë verifikimit është konstatuar një diferencë prej rreth 10 tonësh mallra të padeklaruara, çka ka bërë të nevojshëm kontrollin më të detajuar të ngarkesës.
Dogana ka bërë të ditur se vlera e mallrave të padeklaruara, pa përfshirë detyrimet e importit, vlerësohet në rreth 154 mijë dollarë.
Rasti është duke u trajtuar përmes procedurave përkatëse administrative, në përputhje me Kodin për Doganat dhe Akcizën.
Dogana e Kosovës ka ritheksuar se kontrollet dhe mekanizmat e menaxhimit të riskut synojnë parandalimin e kontrabandës, luftimin e tregtisë së paligjshme dhe mbrojtjen e interesave financiare të vendit.