Në Gjilan është mbajtur Forumi Ekonomik Anamorava 2026, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Universitetin Publik “Kadri Zeka”, me mbështetjen e Caritas Switzerland dhe Qeverisë së Principatës së Lihtenshtajnit.
Oda Ekonomike e Kosovës njoftoi se forumi solli bashkë institucione, biznese, akademinë, investitorë dhe përfaqësues të diasporës, me një qëllim të përbashkët: të identifikohen mundësi konkrete për investime dhe partneritete të reja në Anamoravë.
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, deklaroi se diaspora duhet parë jo vetëm si burim i remitencave, por si investitor dhe partner biznesi, që sjell kapital, përvojë, teknologji dhe lidhje me tregjet evropiane, transmeton albinfo.ch.
Bëhet e ditur se në fokus ishte edhe Platforma B2B Kosovë–Diasporë, përmes së cilës u zhvilluan takime mes bizneseve vendore dhe atyre të diasporës, duke krijuar hapësirë për bashkëpunime dhe investime konkrete.



