Në Davos do të bëhet më i vështirë shndërrimi i banesave për banim të përhershëm në apartamente pushimi. Në votimin e sotëm, qytetarët miratuan me 52,51 për qind të votave ndryshimet në rregullat komunale, përcjell albinfo.ch.
Pjesëmarrja në votim ishte mbi 62 për qind. Kufizimet prekin ndërtesat me të paktën katër banesa që i përkasin kategorisë së banesave të vjetra sipas legjislacionit përkatës. Ato zbatohen në raste rindërtimi, ndërhyrjesh të mëdha, ndryshimi të numrit të apartamenteve apo ndarjes në njësi pronësie.
Rregulli parashikon që të paktën gjysma e sipërfaqes së mëparshme të banimit të ruhet për banim të përhershëm. Megjithatë, për gjysmën e këtij detyrimi lejohet kompensim financiar prej 4.500 frangash për metër katror. Të ardhurat do të përdoren për mbështetjen e banesave për banorët dhe zhvillimin ekonomik lokal.
Masa vjen në një kohë kur Davosi përballet me mungesë të theksuar strehimi. Sipas dokumentacionit të komunës, pjesa e banesave të dyta është rritur nga 56 në 58,9 për qind që nga viti 2017, ndërsa banesat për banim të përhershëm janë pakësuar.
Autoritetet paralajmërojnë se mungesa e banesave dhe rritja e qirave po vështirësojnë edhe punësimin, pasi bizneset hasin pengesa për të siguruar strehim për punonjësit. /Albinfo.ch