Skip to content

Zvicër: Publikohen rezultatet e para të katër referendumeve

(KEYSTONE/Christian Beutler)

Zviceranët mbështesin lehtësimin e rregullave për eksportin e armëve dhe kufizimin e fishekzjarrëve, ndërsa kundërshtojnë rritjen e TVSH-së për financimin e pensionit të 13-të

Pas mbylljes së qendrave të votimit në Zvicër, po publikohen rezultatet e para të katër referendumeve federale të kësaj të diele, më 29 nëntor.

Sipas projeksioneve të publikuara nga Swissinfo në orën 14:05, rreth 54 për qind e votuesve mbështesin lehtësimin e kufizimeve për eksportin dhe rieksportin e armëve, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, shumica e votuesve po kundërshton propozimin për rritjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), që synon financimin e pensionit të 13-të të skemës AHV. Sipas projeksioneve, rreth 54 për qind votojnë kundër kësaj reforme.

Propozimi parasheh rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 8,1 në 8,5 për qind. Refuzimi eventual i tij nuk e anulon pensionin e 13-të, por krijon nevojën për gjetjen e alternativave të tjera të financimit.

Mbështetje të konsiderueshme po merr iniciativa për kufizimin e fishekzjarrëve të zhurmshëm. Rreth 61 për qind e votuesve mbështesin këtë propozim, i cili synon mbrojtjen e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.

Ndërkaq, iniciativa për ruajtjen e tatimit të përbashkët të çifteve të martuara po përballet me kundërshtimin e rreth 59 për qind të votuesve.

Rezultatet paraprake:

Referendumi Pro  Kundër

Lehtësimi i eksportit të armëve 54%       46%

Rritja e TVSH-së për pensionet 46%       54%

Kufizimi i fishekzjarrëve   61%       39%

Tatimi i përbashkët i çifteve të martuara 41%        59%

Numërimi i votave po vazhdon në kantonet zvicerane, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të bëhen të ditura gjatë orëve në vijim.