Zvicra po përballet me një mungesë gjithnjë e më të madhe të banesave, ndërsa sektori i ndërtimit nuk po arrin të përmbushë kërkesën në rritje të popullsisë.
Shoqata Zvicerane e Ndërtuesve (SSE) dhe organizata ekonomike Economiesuisse konsiderojnë se një nga pengesat kryesore është burokracia e tepërt, e cila ngadalëson realizimin e projekteve të reja, shkruan World Radio Switzerland, transmeton albinfo.ch.
Mbi 140 mijë rregullore për ndërtim
Sipas dy organizatave, sektori i ndërtimit në Zvicër rregullohet nga më shumë se 140 mijë dispozita, ndërsa kërkesat për leje ndërtimi mund të kalojnë nëpër deri në 40 zyra të specializuara.
Ankesat e njëpasnjëshme dhe procedurat administrative mund të vonojnë realizimin e projekteve për disa vite.
Ndërkohë, mungesa vjetore e banesave ka tejkaluar shifrën prej 10 mijë njësish, ndërsa përqindja e banesave të lira ka rënë në vetëm 0.93 për qind, duke shënuar rënie për të gjashtin vit radhazi.
Në Gjenevë, deri në 497 ditë pritje për një leje ndërtimi
Sipas një raporti të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), kohëzgjatja e procedurave për marrjen e lejeve të ndërtimit ndryshon ndjeshëm ndërmjet kantoneve.
– Gjenevë: deri në 497 ditë;
– Cyrih: 214 ditë;
– Basel-Landschaft: 201 ditë;
– Mesatarja kombëtare: 140 ditë.
Në nivel kombëtar, kohëzgjatja e procedurave është rritur me 67 për qind gjatë një dekade.
Familjet e reja ndër më të prekurat
Mungesa e banesave prek veçanërisht familjet e reja dhe punonjësit që duhet të ndryshojnë vendbanimin për shkak të punësimit.
Gjetja e një banese me çmim të përballueshëm është bërë gjithnjë e më e vështirë, sidomos në qytetet e mëdha dhe destinacionet turistike.
Shoqata Zvicerane e Ndërtuesve dhe Economiesuisse kërkojnë thjeshtimin e procedurave administrative, përshpejtimin e miratimit të lejeve dhe krijimin e kushteve më të parashikueshme për investitorët.
A mund të përmirësohet situata në vitin 2027?
Sipas një analize të kompanisë konsulente të patundshmërive Wüest Partner, stoku i banesave në Zvicër pritet të rritet me rreth 45 mijë njësi në vitin 2026 dhe 50 mijë në vitin 2027.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se, pavarësisht rritjes së ndërtimeve, mungesa e banesave në qendrat e mëdha urbane pritet të mbetet një sfidë edhe gjatë viteve të ardhshme.