Qytetarët zviceranë do t’u drejtohen kutive të votimit të dielën, më 29 nëntor 2026, për të vendosur mbi katër propozime në nivel federal, të cilat mund të kenë ndikim të rëndësishëm në ekonominë, sigurinë dhe jetën e përditshme në vend, shkruan Swissinfo.
A do të rritet TVSH-ja në Zvicër?
Një nga çështjet më të rëndësishme është financimi i pensionit të 13-të të pleqërisë (AHV/AVS), të cilin qytetarët zviceranë e miratuan në mars të vitit 2024.
Parlamenti propozon rritjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për të siguruar një pjesë të mjeteve të nevojshme për financimin e këtij pensioni.
Nëse propozimi miratohet:
– Norma standarde e TVSH-së do të rritet nga 8.1 në 8.5 për qind.
– Norma për sektorin e akomodimit do të rritet nga 3.8 në 4 për qind.
– Norma e reduktuar prej 2.6 për qind për ushqimet, ilaçet dhe librat do të mbetet e pandryshuar.
Rritja mund të hyjë në fuqi më së hershmi në vitin 2028. Sipas vlerësimeve, familjet do të përballeshin me shpenzime shtesë mesatare prej rreth 180 frangash në vit.
Refuzimi i propozimit nuk do ta anulonte pensionin e 13-të, por do ta linte të pazgjidhur çështjen e financimit të tij, transmeton albinfo.ch.
Lehtësimi i kufizimeve për eksportin e armëve
Në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe ndryshimeve në situatën e sigurisë në Evropë, zviceranët do të vendosin edhe për ndryshimin e ligjit për materialet luftarake.
Reforma do të mundësonte eksportin drejt vendeve të caktuara partnere, edhe kur ato janë të përfshira në konflikte të armatosura, me kusht që të respektohen neutraliteti i Zvicrës dhe detyrimet ndërkombëtare.
Qeveria dhe Parlamenti mbështesin ndryshimet, duke argumentuar se ato janë të rëndësishme për industrinë vendase të mbrojtjes. Kundërshtarët paralajmërojnë se lehtësimi i kufizimeve mund të cenojë neutralitetin zviceran dhe kontrollin mbi destinacionin përfundimtar të armëve.
Tatimi i çifteve të martuara
Një tjetër propozim synon eliminimin e disavantazhit tatimor me të cilin përballen disa çifte të martuara në Zvicër.
Iniciativa e Partisë së Qendrës kërkon ruajtjen e tatimit të përbashkët në nivel federal, por garantimin që çiftet e martuara të mos paguajnë më shumë tatime sesa çiftet e pamartuara me kushte të krahasueshme financiare.
Në mars të këtij viti, votuesit zviceranë kishin miratuar tashmë kalimin drejt tatimit individual, pavarësisht statusit martesor. Qeveria dhe Parlamenti kundërshtojnë iniciativën e re.
A do të ndalohen fishekzjarrët me zhurmë?
Iniciativa e katërt kërkon ndalimin e shitjes dhe përdorimit të fishekzjarrëve që shkaktojnë zhurmë të madhe, me disa përjashtime për manifestimet publike.
Mbështetësit argumentojnë se masa do të ndihmonte në mbrojtjen e kafshëve, njerëzve dhe mjedisit.
Kundërshtarët konsiderojnë se kufizimet ekzistuese në nivel kantonal dhe komunal janë të mjaftueshme dhe se ndalimi do të prekte traditat zvicerane.
Çfarë tregojnë sondazhet?
Sipas sondazhit të institutit gfs.bern, të realizuar nga 4 deri më 11 nëntor, qëndrimet e të anketuarve ishin si më poshtë:
Kufizimi i fishekzjarrëve
63%
35%
Të pavendosur: 2%
Lehtësimi i eksportit të armëve
49%
46%
Të pavendosur: 5%
Rritja e TVSH-së
46%
51%
Të pavendosur: 3%
Tatimi i çifteve të martuara
40%
54%
Të pavendosur: 6%
Burimi: gfs.bern / SRG SSR, nëntor 2026. Të dhënat paraqesin sondazhet, jo rezultatet e votimit.
Në Valais votohet edhe për pagën minimale
Përveç votimeve federale, qytetarët e kantonit Valais do të vendosin për vendosjen e një page minimale prej 22 frangash në orë. Për sektorin e bujqësisë propozohet një pagë minimale prej 18 frangash në orë.
Aktualisht, rreth 5.6 milionë qytetarë kanë të drejtë vote në nivel federal në Zvicër. Banorët që nuk kanë shtetësi zvicerane nuk mund të marrin pjesë në këto votime.