Kosova

Cila është e vërteta për 50 aterrimet nga Prishtina në Aeroportin e Bazelit?

Për të gjetur burimin e kësaj shifre, albinfo.ch ka konsultuar redaksinë Nau.ch e cila e para ka publikuar artikullin në fjalë, aeroportin e Prishtinës, atë të Bazelit dhe deputeten Sollberger

Një prononcim i një deputeteje nacionale nga SVP, i postuar në mediat sociale dhe pastaj i përcjellë nga disa media zvicerane, ngjalli debat dhe u komentua në mënyra të ndryshme në opinionin e këtushëm.

Ajo, (Sandra Sollberger) në postimin e saj kishte kërkuar që pasagjerët që hyjnë në Zvicër përmes rrugës ajrore, të kontrollohen dhe të testohen për koronavirus. Politikania nga Kantoni Baselland, ankesën e kishte kanalizuar kryesisht ndaj atyre që vinin nga Kosova dhe këtë e kishte ilustruar me numrin e madh të aterrimeve nga Prishtina në Aeroportin e Bazelit, gjatë ditëve të festave, shkruan albinfo.ch.

Shqetësimi i saj kishte të bënte me faktin se “ndërkohë që jeta në Zvicër po zhvillohet me kaq shumë kufizime të shkaktuara nga korona, disa po e gëzojnë luksin e udhëtimeve turistike ose familjare”, duke rrezikuar të tjerët, me rastin e kthimit.

Në artikullin lidhur me këtë, të publikuar nga portali nau.ch bie në sy një numër aterrimesh që duket i diskutueshëm. Aty ajo (ose portali) thotë se vetëm më 2 janar në Aeroportin Bazel-Mülhausen kanë aterruar afër 50 aeroplanë nga Prishtina.

A ishin vërtet 50 aterrime?

Ky numër duket i ekzagjeruar, pavarësisht faktit se është e vërtetë se gjatë ditëve pas festave në këtë aeroport kishte shumë pasagjerë që ktheheshin  nga Kosova.

Për të gjetur burimin e kësaj shifre, albinfo.ch ka konsultuar redaksinë Nau.ch e cila e para ka publikuar artikullin në fjalë, aeroportin e Prishtinës, atë të Bazelit dhe deputeten Sollberger.

Në deklarimin që Bujar Gashi, zyrtar për informim i Aeroportit të Prishtinës ka dhënë për albinfo.ch thuhet se në ditën e përmendur, (2 janar) nga Prishtina drejt Bazelit janë nisur gjithsej 16 aeroplanë. Ndërsa më 3 janar kanë qenë 25 fluturime nga Prishtina në Bazel.

Në përgjithësi, “në datat: 1,2, dhe 3 janar 2021, kemi pasur 107 fluturime (shkuarje) dhe 17.901 udhëtarë. Këtu është fjala për të gjitha fluturimet nga Aeroporti i Prishtinës gjatë ditëve të përmendura”, thotë më tutje z. Gashi.

Numrat e aeroportit të Prishtinës dhe të Bazelit, përputhen

Numri i fluturimeve të datës 2 janar, i konfirmuar nga Aeroporti i Prishtinës përputhet me atë të Aeroportit Basel-Mülhausen. Kështu, zonja Claire Freudenberger, përgjegjëse për komunikim me jashtë në këtë aeroport, e pyetur nga albinfo.ch deklaron, si vijon: “Më 2 janar kanë qenë gjithsej 23 fluturime nga Aeroporti Basel-Mulhausen për në Prishtinë dhe anasjelltas. Ndërsa më 3 janar janë zhvilluar 32 fluturime në këtë linjë, po ashtu nga të dy drejtimet”.

Ajo e saktëson informacion më tutje duke prezantuar listën zyrtare të fluturimeve të dy ditëve të apostrofuara. Aty mund të shihet se nga 23 fluturimet e 2 janarit, 16 kanë qenë aterrime nga Prishtina në Bazel ndërsa 7 kanë qenë nisje nga Bazeli për në Prishtinë. Ndërkaq, më 3 janar kemi këtë pamje: 25 aterrime nga Prishtina në Bazel dhe 7 nisje nga Bazeli në Prishtinë.

Gazetari i Nau.ch, (Christoph Vuille) autori i shkrimit të apostrofuar, i pyetur nga albinfo.ch ka thënë se numrin prej 25 aterrimeve më 3 janar e ka nxjerrë duke numëruar, gjegjësisht duke shikuar listën e fluturimeve në aeroportin Bazel-Mülhausen. “Ndërsa numrin e 2 janarit, (ku përmenden 50 aterrime) e kam nga zonja Sollberger”, shprehet ai.

Por, duhet cekur se në versionin e parë të artikullit online në këtë pikë nuk është cituar zonja Sollberger prandaj shifra duket si qëndrim i gazetarit ose redaksisë. Më vonë, publikimi online e ka ndryshuar këtë, duke e lënë si citim nga deputetja e përmendur.

albinfo.ch ka publikuar më 4 janar të përkthyer dhe të plotësuar me të dhüena të tjera, artikullin në fjalë, gjithnjë duke cituar burimin, gjegjësisht portalin e përmendur.

Prishtina, destinacioni numër një nga Aeroporti Basel-Mülhausen gjatë pushimeve 

Se Prishtina gjatë ditëve të festave ka qenë destinacion i preferuar për ata që kanë fluturuar nga Bazeli, e tregon edhe statistika e konfirmuar nga ky aeroport për gazetën “Basler Zeitung”.

“Kryeqyteti kosovar ka qenë në fakt destinacioni më i dashur gjatë javëve të pushimeve të Krishtlindjes. Nga 17 deri më 27 dhjetor  EAP ka përpunuar 18.321 pasagjerë me destinacion Prishtinën. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë 14.795 sish”, shkruan gazeta e përmednur.

Albinfo.ch ka kontaktuar edhe zonjën Sollberger, deputeten nacionale të SVP-së, të cilës i ka shtruar pyetjen nëse deklarimi për “50 aterrimet” është i saj apo cili është burimi i lajmit.

Sandra Sollberger: “Unë kam numëruar 50 aterrime”

Përgjigja e saj duket kështu: “Sigurisht, në parim nuk bëhet fjalë për numrat (e fluturimeve) por për vet faktin përse ende mund të fluturohet. Madje po të ketë qenë edhe vetëm një fluturim, do të ishte i tepërt”, arsyetohet ajo duke mbrojtur qëndrimin kundër fluturimeve në kohë pandemie.

“Unë i kam shikuar aterrimet në faqen online të Aeroportit të Bazelit. Prej saj kam bërë edhe screenshot-in, i cili bashkë me linkun gjendet në postimin tim. Unë, të shtunën, më 2 janar kam numëruar rreth 50 aterrime ndërsa më 3. Janar mbi 20 aterrime. Disa gazetarë më kanë thënë përmes telefonit se edhe ata e kanë parë po këtë. Media të ndryshme kanë pyetur edhe në aeroport”, përfundon zonja Sollberger.