Lajme

Çfarë ndryshon nga shtatori në Zvicër: Nga pagat te mbyllja e tunelit të Gotthardit

Muaji shtator sjell disa ndryshime në Zvicër, nga masat për pagat dhe rregullat e reja për mbrojtjen e të dhënave, deri te ndërprerja e një shërbimi të njohur për rezervimin e udhëtimeve dhe mbylljet e natës në tunelin e Gotthardit.

Nga 1 shtatori 2026, në Zvicër hyjnë në fuqi disa rregulla dhe ndryshime të reja në nivel federal dhe kantonal, përcjell albinfo.ch.

Në kantonin Schwyz, nga 1 shtatori ndalohet marrja e qenve në zyrat e administratës kantonale. Përjashtim bëjnë vetëm qentë e shërbimit. Vendimi pason një incident, në të cilin një punonjëse e pastrimit ishte kafshuar nga një qen në ndërtesën e qeverisë kantonale.

Ndryshime do të ketë edhe në Prokurorinë Federale të Zvicrës. Nga 1 shtatori hyn në fuqi rregullorja e re për organizimin dhe administrimin e saj. Synimi është që procedurat të zhvillohen në mënyrë më efikase, ndërsa vëmendje më e madhe do t’i kushtohet luftimit të krimit kibernetik.

(KEYSTONE/Gaetan Bally)

Rritje pagash për një pjesë të punonjësve

Në Basel-Stadt, punonjësit e administratës kantonale do të përfitojnë nga një paketë e re masash për pagat.

Ndër të tjera, parashikohet rritja e pagave fillestare, masa financiare për punonjësit e policisë kantonale dhe rritja me një të katërtën e shtesave për punën gjatë natës, të dielave dhe festave, si dhe për shërbimin e gatishmërisë.

Rregulla të reja për mbrojtjen e të dhënave

Në kantonin e Bernës, më 1 shtator hyn në fuqi ligji i rishikuar kantonal për mbrojtjen e të dhënave.

Mbi 1.000 komuna dhe institucione komunale nuk do të kenë më organet e tyre të veçanta mbikëqyrëse, por do të kalojnë nën përgjegjësinë e autoritetit kantonal për mbrojtjen e të dhënave. Bernë, Biel/Bienne, Köniz dhe Thun do t’i mbajnë organet e tyre mbikëqyrëse.

Ebookers largohet nga tregu zviceran

Një tjetër ndryshim prek udhëtarët. Nga 2 shtatori, platforma Ebookers ndërpret ofertën e saj në Zvicër. Përmes faqes Ebookers.ch dhe aplikacionit nuk do të mund të bëhen më rezervime të reja.

Faqja zvicerane e Ebookers do t’i ridrejtojë përdoruesit te Hotels.com.

Mbyllje gjatë natës në tunelin e Gotthardit

Shoferët duhet të kenë parasysh edhe disa mbyllje të tunelit rrugor të Gotthardit gjatë muajit shtator për shkak të punimeve të mirëmbajtjes dhe pastrimit.

Mbylljet janë planifikuar nga 7 deri më 11 shtator, nga ora 22:00 deri në 05:00, ndërsa nga 14 deri më 18 shtator, 21 deri më 25 shtator dhe 28 shtator deri më 2 tetor, tuneli do të mbyllet gjatë netëve nga ora 20:00 deri në 05:00.

Si alternativë, TCS rekomandon përdorimin e Qafës së Gotthardit.

Ndërkohë, për shkak të temperaturave të larta dhe thatësisë së javëve të fundit, në disa kantone vazhdojnë të zbatohen kufizime lidhur me ndezjen e zjarrit, megjithëse një pjesë e autoriteteve kantonale tashmë i kanë lehtësuar masat.