Lajme

Bukurie Limani, personifikim i mësimit të shqipes në Grac

Porosia e saj e vazhdueshme: Dërgoni fëmijët në mësimin e gjuhës amtare, sepse është amanet që të parët na e kanë lanë!

Që kur filloi mësimi i gjuhës shqipe në Grac të Austrisë, u gjend afër arsimtarja e re nga Gjilani. Ditarin e kishte në zemër, veç kësaj e kishte porosi nga familja e saj intelektualësh të respektuar në rrethin e saj në Atdhe.

“Me shtimin e numrit të nxënësve shqiptarë u krijuan rrethanat për ta ushtruar detyrën e mësimdhënies, të cilën e ëndërroja pasi kisha mbaruar shkollën e Lartë. Mësuesi i parë në Grac ishte Nikollë Ukaj i cili shkoi në detyrë të re dhe unë fillova punë me nxënësit shqiptarë në disa shkolla të Steiermarkut”, shprehet ajo.

Me respekt flasin për mësuesen prindërit dhe nxënësit e saj tani të rritur dhe familjarë, të cilët ia besuan fëmijët mësueses së tyre. “Bukuria është mësuese aktive, e vyer dhe e dashur. Ajo ka grumbulluar gjithmonë fëmijët shqiptarë në mësim dhe aktivitete kulturore. Mes tjerash ishte bashkëthemeluese Shoqërinë Kulturore “Rinia” të cilën e drejtoi disa vite”.
Shfletojmë shtypin e kohës duke mësuar se mësuesja e vyer nga Graci, Bukurie Limani ishte pjesëmarrëse me grupin e valltarëve të saj në disa festivale në Austri dhe jashtë saj duke u kurorëzuar me medalje e mirënjohje vlerësuese. 

 

Mbi dy dekada në shërbim të mësimit shqip

Secili ka obligim të japë nga vetja e tij të mundshmen për imazh të mirë të vendit të origjinës, traditave dhe zakoneve, gjuhës amtare, për bukuritë e këngës dhe valles shqiptare. Këtë Bukurie Limani e ka bëri me shumë sukses aty ku punoi, dhe, jo pak por për disa dekada në shumë shkolla të Gracit dhe rrethinës.

“Nuk ishte e lehtë, duhej punë dhe durim. Fëmijët në aktivitetet kulturore mësojnë shumë nga njëri tjetri. Gjithherë është folur shqip në të gjitha projektet të cilat nuk ishin të pakta në Qytetin e Kulturës Botërore, Gracin e bukur. Koloriti i veshjeve, tingujt e muzikës shqiptare shoqëruar me lëvizjet e valltareve mahnitën shikues kombesh të ndryshme, aktivistë e specialistë kulture, etnografë e gazetarë”, tregon me krenari mësuesja e zellshme nga Graci.

Para pak ditësh mësuesja Bukurie u pensionua, duke lënë pas traditën e shkëlqyer dhe gjenerata të tëra të brumosura. “Koha shkon shpejt dhe gjeneratat vijnë, tani po i shohim në jetën tonë akoma më bindshëm frytet e punës sonë dje”.

Përfaqëson me dinjitet imazhin e mirë të shqiptarëve 

Bukuria është krenare me Gracin historik, të Lasgush Poradecit e shumë figurave madhore kombëtare. Ajo, tani është pjesë e historisë së përpjekjeve për gjuhën shqipe, kultivimin dhe ruajtjen e saj. Pjesë artistike shqiptare përmes recitimeve, këngës e valleve aq të njohura në qytet dhe Austri.

“Po, kam dëgjuar për nxënësit valltarë të arsimtares Bukurie”, dëgjoj edhe nga ata që nuk kishin parë koncerte nxënësish. Bukuria ishte dhe është pjesë e përfaqësimit tonë me dinjitet në ngritjen e imazhit shqiptar kudo që u prezantua me nxënësit e saj.

Bukuria ishte dhe pjesë e Shoqatës së  Mësimdhënësve/eve “Naim Frashëri” me gjithë kreativitetin saj në ngritjen cilësore të organizimit që nga fillimet e shoqatës. Ishte bashkëthemeluese dhe bashkëdrejtuese e saj, aktualisht nënkryetare. Pjesëmarrja e saj në garat e diturisë ishte pasuri e vërtetë, pastaj në ekskursione, në gara sportive, projekte mësimore. Disa herë nxënësit e saj dolën fitues.

Përafrim shpirtëror me ata që ke bashkëpunuar

“Jam krenare që bashkëpunova në misionin tonë të përbashkët të mësimit shqip në Austri. Me respekt do t`i ruaj gjithë ato materiale e mirënjohjet e ndara nga institucionet në Austri dhe atdhe. Jeta ka koloritin e saj, andaj është e bukur edhe kur ka ndarje. Ndarje fizike të pashmangshme, por ka gjithmonë përafrim shpirtëror me gjithë ata që ndave rrugë jo të lehtë, përplot sfida”, shprehet e emocionuar mësuesja Bukurie.

Kujtimi ndaj çdo gjëje të kaluar vetëm pasurohet dhe kalon në pjesoren e qenies deri në pakufi. Do të jetoj me kujtime të bukura dhe krenarinë e fryteve mbi njëzetvjeçare të punës së gjeneratave”.
U ndamë nga mësuesja me urimin për shëndet të mirë në pensionin e merituar dhe të pritur. Trashëgimtarët e mësueses janë krenarë me punën e paraardhëses së tyre. Ajo është frymëzimi në rrugën e dijes të trasuar me mund e dashuri përgjatë viteve të tëra.

Porosia e saj e vazhdueshme: Dërgoni fëmijët në mësimin e gjuhës amtare, sepse është amanet që të parët na e kanë lanë!

Box 1

Bashkëthemeluese e shoqatës “Naim Frashëri”

Bukuria ishte dhe pjesë e Shoqatës së  Mësimdhënësve/eve “Naim Frashëri” me gjithë kreativitetin saj në ngritjen cilësore të organizimit që nga fillimet e shoqatës. Ishte bashkëthemeluese dhe bashkëdrejtuese e saj, aktualisht nënkryetare.

Box 1

Medalje e mirënjohje  

Shfletojmë shtypin e kohës duke mësuar se mësuesja e vyer nga Graci, Bukurie Limani ishte pjesëmarrëse me grupin e valltarëve të saj në disa festivale në Austri dhe jashtë saj duke u kurorëzuar me medalje e mirënjohje vlerësuese.