Kosova

BE kërkon nga Serbia të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë

Zëdhënësi i BE-së tha se Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj personave që ndodhen në territorin e saj dhe janë të dyshuar për sulmin e 24 shtatorit 2023.

Bashkimi Evropian ka rikujtuar se sulmi i armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, përbënte një kërcënim serioz për sigurinë në rajon, duke kërkuar nga Serbia që të ndërmarrë hapa për nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve, përcjell albinfo.ch.

Në një përgjigje për “Kohën”, zëdhënësi i BE-së ka thënë se Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ndjekjen e personave që ndodhen në territorin e saj dhe ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza lidhur me sulmin.

“Para tri vitesh, sulmi në Banjskë, më 24 shtator 2023, i kryer nga sulmues serbë të Kosovës, të armatosur, ndaj Policisë së Kosovës, kërcënoi seriozisht sigurinë në rajon”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.

Në sulmin në Banjskë u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa dy policë të tjerë u plagosën.

BE-ja ka bërë të ditur se në vazhdimësi ka kërkuar që përgjegjësit për sulmin të japin llogari dhe ka shprehur keqardhje për mungesën e hapave të mëtejshëm nga Serbia ndaj personave që ndodhen në territorin e saj.

“Ne presim që Serbia plotësisht të bashkëpunojë përmes kanaleve të vendosura të asistencës së ndërsjellë. Çështja është në pritje për kohë të gjatë dhe duhet menjëherë të ndiqet nga Serbia”, ka deklaruar zëdhënësi.

Sipas BE-së, çështja e Banjskës është ngritur edhe në takimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Nju-Jork./Albinfo.ch.