Lajme
Baume-Schneider: Gjuhët e migrantëve janë pasuri për Zvicrën
Zvicra nuk duhet ta shohë shumëgjuhësinë vetëm përmes katër gjuhëve kombëtare. Ministrja federale Elisabeth Baume-Schneider ka theksuar se edhe gjuhët që fliten në familjet me prejardhje migrimi janë sot pjesë e realitetit gjuhësor të vendit dhe se ato duhet të njihen e të vlerësohen.
Ministrja federale Elisabeth Baume-Schneider ka bërë thirrje për një Zvicër vërtet shumëgjuhëshe, duke e cilësuar diversitetin gjuhësor si një nga elementet themelore të identitetit dhe kohezionit të vendit, përcjell albinfo.ch.
Në fjalimin e saj me rastin e 30-vjetorit të Forumit për Dygjuhësinë, Baume-Schneider foli për rëndësinë e gjuhëve kombëtare, por njëkohësisht vuri theksin edhe te kontributi që migracioni ka dhënë në realitetin e sotëm gjuhësor të Zvicrës.
Gjuhët e migrantëve, pjesë e Zvicrës së sotme
“Gjuhët e ndryshme që fliten brenda familjeve janë sot pjesë e realitetit tonë gjuhësor”, theksoi Baume-Schneider.
Sipas saj, njohja dhe vlerësimi i këtyre gjuhëve nuk bie në kundërshtim me promovimin e gjuhëve kombëtare të Zvicrës. Përkundrazi, shumëgjuhësia krijon aftësi të vlefshme, duke u mundësuar njerëzve të kalojnë nga një gjuhë në tjetrën, të kuptojnë kontekste të ndryshme kulturore dhe të shohin çështjet nga perspektiva të ndryshme.
Zvicra ka katër gjuhë kombëtare – gjermanishten, frëngjishten, italishten dhe romanishten – por migracioni ka bërë që në jetën e përditshme të vendit të fliten edhe shumë gjuhë të tjera, shkruan albinfo.ch.
Baume-Schneider theksoi se shumëgjuhësia nuk është vetëm një trashëgimi që duhet ruajtur, por një burim i rëndësishëm për përfshirjen sociale, pjesëmarrjen demokratike dhe forcimin e lidhjeve mes rajoneve të ndryshme të Zvicrës.
Anglishtja nuk duhet t’i dobësojë gjuhët kombëtare
Ministrja federale paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që rritja e rëndësisë së anglishtes t’i vendosë gjuhët kombëtare në plan të dytë.
“Në një botë ku anglishtja po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, tundimi për t’u dhënë më pak peshë gjuhëve kombëtare mund të jetë i madh. Por pikërisht sepse anglishtja sot është bërë e zakonshme, nuk duhet të neglizhojmë atë që e bën Zvicrën unike”, tha ajo.
Sipas Baume-Schneider, shumëgjuhësia nuk përbën pengesë për konkurrueshmërinë ndërkombëtare të Zvicrës, por është një forcë e saj.
Debati për frëngjishten në shkollat zvicerane
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua debatit aktual rreth mësimit të një gjuhe të dytë kombëtare në shkollën fillore.
Në disa kantone po diskutohet mundësia që mësimi i frëngjishtes të zhvendoset nga shkolla fillore në nivelin sekondar. Sipas ministres, një hap i tillë do të vinte në pikëpyetje kompromisin kombëtar mbi të cilin prej vitesh mbështetet politika e koordinuar gjuhësore e Zvicrës.
Ajo kujtoi se Kushtetuta Federale u ngarkon kantoneve detyrën për të harmonizuar elementet themelore të arsimit të detyrueshëm dhe për të garantuar pozitën e gjuhëve kombëtare.
Nëse kantonet nuk arrijnë një harmonizim të tillë, sipas saj, Konfederata ka detyrimin kushtetues të ndërhyjë në masën e nevojshme.
“Federalizëm nuk do të thotë që secili të bëjë në territorin e vet çfarë të dëshirojë, pavarësisht se çfarë do të thotë kjo për Zvicrën”, ishte mesazhi i Baume-Schneider.
Shumëgjuhësia është edhe avantazh ekonomik
Këshilli Federal e konsideron promovimin e shumëgjuhësisë një investim në të ardhmen e vendit.
Sipas Baume-Schneider, njohja e disa gjuhëve lehtëson shkëmbimet ndërkombëtare, rrit mundësitë për punësim, nxit mobilitetin profesional, tërheq talente dhe stimulon inovacionin.
Ajo vuri në dukje se rreth 250 milionë njerëz në Evropë flasin të paktën njërën prej gjuhëve kombëtare të Zvicrës, duke e konsideruar këtë një potencial të madh ekonomik dhe krijues.
Ministrja përmendi gjithashtu kurset e gjuhëve kombëtare për migrantët, sistemin FIDE dhe programet kantonale të integrimit si pjesë të masave që kontribuojnë në politikën gjuhësore dhe integruese të vendit.
Në fund, Baume-Schneider solli si shembull Ticino-n dhe Zvicrën retoromane, ku mësimi i tri gjuhëve kombëtare është më i zakonshëm.
Sipas saj, këto rajone kanë kuptuar një element thelbësor për bashkëjetesën në Zvicër: rëndësinë që të kuptohet gjuha e fqinjit dhe të jesh në gjendje të komunikosh në të.
/Admin.ch – fjalimi i ministres federale Elisabeth Baume-Schneider, 27.08.2026/
E-Diaspora
-
Muriqi e dërgon Fenerbahçen në Ligën e Kampionëve Vedat Muriqi ka qenë protagonist në suksesin e madh të Fenerbahçes, që siguroi kualifikimin në fazën... -
Shqiptarja që shet vila milionëshe në Zvicër: Gentiana Ahmeti, “Immofluencerja” që po ndryshon mënyrën e shitjes së pronave -
Sabahat Meta për albinfo.ch: Për 7 vite, Kino Kosova është shndërruar në një urë kulturore mes Kosovës dhe Zvicrës -
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë -
Nga Ferizaj në skenën e Miss World 2026, Blair Isufi: Ky rrugëtim është për Kosovën
Jeta në Austri
-
Çfarë nënkuptojnë rregullat e reja të BE-së për patentën e shoferit për Austrinë? Direktiva e re e BE-së për patentën e drejtimit sjell ndryshime të shumta për shoferët, kampistët... -
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë -
Interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Austri – Kosovë, shiten 40 mijë bileta -
Austri: Ministria e Financave paralajmëron për mashtrim me ndihmën familjare -
A do të shtrenjtohen hipotekat dhe kreditë nëpër Evropë?













