Skip to content

Si do të funksiononte lista e zezë për personat e ndaluar të punojnë në çerdhe?

Ideja për krijimin e një regjistri me personat të cilëve u ndalohet puna në çerdhe dhe institucione të kujdesit për fëmijërinë e hershme po fiton mbështetje në Zvicrën frankofone. Megjithatë, mbetet e paqartë se si do të krijohej kjo listë dhe cilat kritere do të përcaktonin përfshirjen në të.

Disa raste të raportuara së fundmi kanë dëmtuar besimin ndaj disa çerdheve në Zvicrën frankofone. Ato përfshijnë raste të sjelljes së papërshtatshme nga personeli dhe keqtrajtimit të fëmijëve shumë të vegjël. Pavarësisht mekanizmave ekzistues të kontrollit, vazhdojnë të evidentohen mangësi.

Në Saint-Sulpice, në kantonin Vaud, prindërit denoncuan në shtator reagimin e vonuar të autoriteteve dhe të çerdhes, pasi një edukator dyshohej se kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme një fëmijë të vogël.

Përballë kësaj situate, parlamenti i kantonit Vaud miratoi në fillim të këtij muaji një propozim për krijimin e një regjistri me personat të cilëve u ndalohet puna në institucionet e kujdesit për fëmijërinë e hershme. Edhe kantoni Fribourg mund t’i bashkohet kësaj nisme: më 13 tetor u paraqit një mocion për t’u përfshirë në projektin e Vaud-it.

Regjistër i tillë ekziston për mësimdhënësit

Në Zvicër, një regjistër i ngjashëm ekziston tashmë për mësimdhënësit në arsimin e detyrueshëm. I krijuar në vitin 2004, ky regjistër mbahet nga Konferenca e Drejtorëve Kantonalë të Arsimit Publik (CDIP), ku përfaqësohen anëtarët e qeverive kantonale përgjegjës për arsimin.

Sipas të dhënave të konsultuara nga transmetuesi publik zviceran RTS, në regjistër figurojnë aktualisht 113 persona. Megjithatë, nuk dihet sa prej tyre janë burra dhe sa gra, transmeton albinfo.ch.

Kriteret e përfshirjes ndryshojnë nga një kanton në tjetrin, por ekziston një parim i përbashkët: vendimi për regjistrimin e një personi merret vetëm në raste serioze.

Mësimdhënësit mund të përfshihen në regjistër nëse kanë kryer shkelje të rënda, edhe kur ndaj tyre nuk është shqiptuar një dënim penal. Shkeljet mund të lidhen me dëmtimin e shëndetit fizik ose psikik të fëmijëve.

“Shpesh dëgjojmë për raste të pedofilisë që marrin vëmendje publike dhe që ndoshta përbëjnë shqetësimin kryesor, por kjo nuk është e gjitha”, shpjegon Jérôme Amez-Droz, sekretar i përgjithshëm i Departamentit të Arsimit në Neuchâtel, në emisionin e mëngjesit të RTS-së.

“Ka edhe sjellje krejtësisht të papërshtatshme në mënyrën se si duhet të trajtohen nxënësit”, shton ai.

Në kantonet e Zvicrës frankofone, vendimin përfundimtar zakonisht e merr Këshilli Shtetëror ose departamenti përgjegjës për arsimin.

Numër i kufizuar rastesh

Sipas Amez-Droz, numri i rasteve të regjistruara mbetet i kufizuar. Gjeneva është kantoni i Zvicrës frankofone me numrin më të madh të personave të cilëve u është hequr e drejta për të dhënë mësim: 12 persona figurojnë në regjistrin e saj, i cili është përditësuar për herë të fundit në gusht.

Në gjysmën e kantoneve zvicerane, ndërkaq, nuk figuron asnjë mësimdhënës në këtë regjistër.

Ekzistojnë dy lloje ndalimesh: ndalimi i përhershëm dhe ai me afat të caktuar. Shumica e rasteve përfundojnë me ndalim të përhershëm.

Në rastet kur ndalimi është i përkohshëm, mësimdhënësi duhet të dëshmojë se është sërish i aftë për të ushtruar profesionin.

“Kërkesa duhet, natyrisht, të mbështetet nga ekspertiza mjekësore që dëshmon se personi nuk paraqet më rrezik për integritetin fizik ose psikik të nxënësve”, sqaron Amez-Droz.

Personat e përfshirë në regjistër njoftohen automatikisht dhe kanë të drejtë të ankohen kundër vendimit. Megjithatë, sipas të dhënave të RTS-së, që nga krijimi i regjistrit, asnjë ankesë e paraqitur në Zvicrën frankofone nuk është pranuar.

Qasje në regjistër ka vetëm sekretariati i përgjithshëm i CDIP-së. Për të verifikuar nëse një mësimdhënës figuron në të, për shembull gjatë procesit të punësimit, kantoni përkatës duhet t’i drejtohet kësaj konference.

Përgjigjja tregon vetëm nëse personi është apo jo në listë. Arsyeja e përfshirjes së tij nuk bëhet e ditur.

Verifikimi i regjistrit nuk është i detyrueshëm

Edhe pse kantonet pranojnë se eliminimi i plotë i rrezikut është i pamundur, regjistri ndihmon në parandalimin e një situate ku një mësimdhënës problematik, pas largimit nga puna ose pas një denoncimi, mund të vazhdojë të punojë në një kanton tjetër.

Regjistri nuk kufizohet vetëm te shkollat publike të arsimit të detyrueshëm. Edhe shkollat private dhe institucionet arsimore jashtë Zvicrës mund të paraqesin kërkesa për verifikim.

Megjithatë, konsultimi i regjistrit është vullnetar. Në Neuchâtel dhe Gjenevë kryhen kontrolle të rregullta, por kjo praktikë nuk zbatohet në të gjitha kantonet.

Laure Lambelet, nga organizata ESPAS, e cila mbështet personat që kanë përjetuar dhunë seksuale, vlerëson se verifikimi i detyrueshëm i regjistrit gjatë punësimit do ta bënte atë më efektiv.

“Kur ekzistojnë mjete që mund të përdoren, por nuk përdoren domosdoshmërisht, ato nuk janë shumë të dobishme. Prandaj, duhet të shqyrtojmë mundësinë që konsultimi i regjistrit të bëhet i detyrueshëm”, thekson ajo.

Lambelet kujton se në sistemin e drejtësisë ekzistojnë tashmë dokumente që kërkohen detyrimisht, si dëshmia e penalitetit dhe ekstrakti i posaçëm i evidencës penale. Megjithatë, hetimet administrative ose procedurat e brendshme institucionale nuk pasqyrohen domosdoshmërisht në këto dokumente.

Organizata ESPAS vlerëson se regjistri duhet të jetë i qasshëm edhe për klubet sportive dhe institucionet e tjera që organizojnë aktivitete jashtëshkollore, me qëllim forcimin e mbrojtjes së fëmijëve.