Skip to content

Ndërtoi një kamp aty ku nuk kishte as ujë, as rrymë, as rrugë

Lulzim Ibishi nuk e dinte as ku ndodhej fshati i babait të vet. E bleu rrafshnaltën pa plan dhe pa infrastrukturë — një vendim që e mori bashkë me Andrean, bashkëshorten zvicerane. Sot Adventure Camping Kosovo punon me energji elektrike nga dielli, ujë nga pusi i vet dhe vizitorë nga e gjithë bota

Lulzim Ibishi nuk e dinte as ku ndodhej fshati i babait të vet. E bleu rrafshnaltën pa plan dhe pa infrastrukturë — një vendim që e mori bashkë me Andrean, bashkëshorten zvicerane. Sot Adventure Camping Kosovo punon me energji elektrike nga dielli, ujë nga pusi i vet dhe vizitorë nga e gjithë bota.

Pyetja erdhi rastësisht, mes bisedës. A e dinte saktësisht nga vinte babai i tij? A e dinte ku ndodhej Zgatari?

Lulzim Ibishi kishte shkuar në Zvicër si nxënës i klasës së katërt. Atje e kishte bërë shkollën, zanatin, karrierën, familjen dhe kompaninë. Prejardhjen e mbante si emër, jo si adresë. Përgjigjja doli e thjeshtë dhe pak e sikletshme: jo, nuk e dinte.

Kolegu ia tregoi zonën në hartë. Pastaj hipën në veturë. Ajo që gjetën në fund të rrugës ishte një rrafshnaltë e hapur, pa asgjë mbi të.

“Kur erdha këtu, ky vend më preku menjëherë,” thotë Ibishi. “Prandaj e pyeta spontanisht kolegun tim nëse kishte mundësi të blihej tokë këtu.” Kolegu i gjeti disa parcela në shitje dhe ai filloi t’i blinte — pa plan biznesi, pa projeksione, pa e ditur çfarë do të bëhej me to.

TOKA ERDHI PARA IDESË

Në manualet e biznesit, ideja vjen e para dhe toka e fundit. Këtu ndodhi e kundërta: ideja e një kampingu aventuresk mori formë vetëm më vonë dhe u rrit me të njëjtin ritëm me të cilin rritej sipërfaqja, parcelë pas parcele.

Sot kampi pret vizitorë nga anë të ndryshme të botës në një lokacion që familja e ka pajisur me ujë, rrymë dhe rrugë me duart e veta. Është krahu kosovar i një biznesi familjar që në Zvicër numëron tri gjenerata.

Se babai i tij kishte lindur pikërisht në atë rrafshnaltë, Ibishi e mësoi para se ta blinte tokën. “Nuk është thjesht një projekt apo një biznes,” thotë ai. “Është një lidhje mes së kaluarës sime, rrënjëve të mia dhe së ardhmes sime.”

Klasa e katërt

Rruga deri te ajo rrafshnaltë nis dyzet vjet më herët, me një fëmijë që hyn në klasën e katërt zvicerane pa e njohur as gjuhën. “Që nga fillimi më është dashur të përshtatem në mënyrë të pavarur,” thotë ai.

Zanati i dha profesionin dhe, brenda pak kohe, një bindje: nuk donte të punonte për të tjerët. Në vitin 2007, bashkë me bashkëshorten, hapi një kompani lyerjeje dhe gipsi. Një vit më vonë, biznesit iu bashkua edhe babai i tij.

Në vitin 2014, kompania u shndërrua në shoqëri aksionare. Më vonë, pasi djemtë përfunduan zanatet e tyre, edhe ata u përfshinë në biznes.

Vendimi për t’u kthyer pjesërisht në Kosovë nuk u mor mbi bazën e tabelave dhe kalkulimeve financiare.

Megjithatë, familja kishte një kusht të qartë: fëmijët duhej ta përfundonin shkollimin në Zvicër.

Sot, djemtë kujdesen për biznesin në Zvicër, ndërsa vajza dhe dhëndri janë të angazhuar në Kosovë

.Zvicerania që e zgjodhi vetë Kosovën

Andrea Ibishi e pa Kosovën për herë të parë në vitin 1997, pa asnjë pritshmëri — sepse nuk kishte nga t’i merrte. Ajo që e priti nuk ishte peizazhi, por njerëzit. “Më pëlqeu shumë ngrohtësia e njerëzve dhe mikpritja. Atëherë e kuptova se kjo është një kulturë që nuk do të doja ta humbisja më kurrë nga jeta ime.”

Kur erdhi radha e investimit në një rrafshnaltë ku nuk kishte asgjë, vendimin e morën bashkë — dhe ajo e kishte marrë pjesërisht që në vitin 1997. “Nuk ishte një vendim që duhej ta analizonim gjatë, por diçka që për ne thjesht ndihej e drejtë,” thotë Ibishi.

Pengesa e vetme e vërtetë ishte gjuha. “Shqipja është shumë e vështirë për t’u mësuar, sidomos kur vjen nga gjermanishtja,” thotë ajo. Sot e flet rrjedhshëm — ajo që e quante barrierën më të madhe është e vetmja që e ka mposhtur plotësisht.

Nga Zvicra i mungojnë përpikëria dhe rregulli, por nuk e thotë si ankesë: “Të dyja kulturat kanë anët e tyre të forta dhe pikërisht këto dallime e bëjnë jetën për mua interesante.”

Çmimi i të qenit i pari

Pjesa më e vështirë nuk ishte as ideja, as kapitali, por gjithçka që në një vend tjetër vjen e gatshme. Në atë rrafshnaltë nuk kishte ujë, rrymë as rrugë — dhe asnjë nga të tria nuk erdhi nga jashtë.

Familja shpoi një pus rreth 150 metra thellë — verës, në thatësirë, sasia bie aq sa mezi mbulon nevojat bazë. Rryma prodhohet me panele diellore dhe ruhet në bateri.

“Ne i kemi ndërtuar dhe investuar të gjitha vetë, sepse besojmë në projektin tonë,” thotë Ibishi. Ajo që i ka mbetur si plagë e vogël nuk është kostoja, por hendeku mes asaj që i ishte premtuar diasporës dhe asaj që gjeti në terren.

“Në mediat zvicerane është promovuar shumë ideja se Kosova dëshiron ta mbështesë diasporën. Ne kemi pasur përvojën se në realitet kjo nuk është gjithmonë aq e thjeshtë.”

Këshilla e tij vjen pa zbukurime: “Shumë gjëra këtu ecin më ngadalë sesa në Zvicër. Ndonjëherë duhet më shumë durim dhe pak më shumë nerva.” Kërkesa ndaj institucioneve është po aq konkrete: leje më të shpejta, lidhje infrastrukturore dhe zyrtarë që e shoqërojnë investitorin.

KUR INVESTIMI MERR KUPTIM

Kur e pyet nëse është penduar ndonjëherë për investimin, përgjigjja vjen menjëherë.

“Nuk ka pasur as edhe një moment të vetëm.”

Për Ibishin, kthimi i investimit nuk matet vetëm me shifra.

Ai e sheh atë sa herë që një turist mbërrin në kamp.

“Kur turistët arrijnë dhe, brenda disa orësh, ndihen sikur janë në shtëpinë e tyre, atëherë kjo është shpërblimi më i madh.”

Edhe kur e pyet se ku e ka sot shtëpinë, Ibishi nuk zgjedh mes Kosovës dhe Zvicrës.

“Çdo kthim është një rikthim në shtëpi, pavarësisht nëse kthehemi në Zvicër apo vijmë në Kosovë.”

Andrea e thotë të njëjtën gjë, vetëm me më pak fjalë. “Është vendi i zemrës sime. Një vend i vogël me një zemër shumë të madhe.”

 

NË SHIFRA

Klasa e IV Mosha kur Lulzim Ibishi mbërrin në Zvicër
1997 Vizita e parë e Andreas në Kosovë
2007 → 2014 Nga biznes individual në shoqëri aksionare
150 m Thellësia e pusit të shpuar për ujë
Zgatari Vendlindja e babait — lokacioni i Adventure Camping Kosovo