Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar hyrjen në Kosovë të 1,068 kilogramëve patatina “STIZA Potato Chips Paprika”, pasi analizat laboratorike kanë treguar nivel të akrilamidit mbi vlerat referente, përcjell albinfo.ch.
Sipas njoftimit të AUV-së, ngarkesa me numër identifikues LOT 909073 ishte importuar nga kompania BEST BT SH.P.K. nga Prizreni.
Pas rezultateve të analizave laboratorike, të dokumentuara në raportin nr. 4397/2026, Inspektorati Fitosanitar Kufitar ka marrë vendim për ndalimin e hyrjes dhe kthimin e ngarkesës.
Me këtë vendim është parandaluar vendosja e produkteve në tregun e Kosovës.
Çfarë është akrilamidi?
Akrilamidi është një substancë kimike që mund të formohet gjatë përpunimit të ushqimeve të pasura me niseshte në temperatura të larta, veçanërisht gjatë skuqjes dhe pjekjes.
Sipas Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), ekspozimi afatgjatë ndaj akrilamidit përmes ushqimit përbën shqetësim për shëndetin publik për shkak të potencialit të tij kancerogjen.
AUV ka sqaruar se masa e ndërmarrë i referohet vetëm ngarkesës së identifikuar me numrin LOT 909073.
Agjencia ka theksuar se do të vazhdojë kontrollet zyrtare për të parandaluar hyrjen në treg të produkteve që nuk përmbushin kërkesat e sigurisë ushqimore, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.