Lajme

Andreas Schieder: Ballkani Perëndimor i takon Evropës

“...Kosova i ka bërë detyrat e saj, tani duhet unioni të mbajë premtimin e bërë. Bllokimi i tejzgjatur po shkakton me të drejtë në popullsinë kosovare frustrim dhe po dobëson forcat evropiane në vend. Ne, si BE s’duhet ta lejojmë më këtë”, shprehet për albinfo.at, eurodeputeti austriak, Andreas Schieder “

Andreas Schieder është një nga politikanët më të njohur austriakë. Ai ka qenë për vite me radhë kryetar i Partisë Socialdemokrate austriake (SPÖ). Schieder punon me forcë dhe angazhim për mbështetjen dhe integrimin e vendeve ballkanike në BE.

Politikani karizmatik ka zbuluar që në moshë të re interesin e tij politik përtej kufijve të vendit, duke mbajtur rregullisht marrëdhënie në skenën ndërkombëtare. Prej vitit 2019 ai përfaqëson postin e eurodeputetit të SPÖ-së në Parlamentin Evropian, në grupin e Aleancës Progresive. Ai është gjithashtu kryetar i delegacionit të Komitetit të Përbashkët të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut.

Schieder, me punën e tij spikat misionin dhe interesin për vendet ballkanike me vëmendje në stabilitet, luftë kundër krimit, integrim dhe përfshirje e tyre në BE.

Albinfo.at: Ju jeni kryetar i delagacionit të SPÖ-së në Parlamentit Evropian, gjithashtu jeni njohës i mirë i larmisë politike ballkanike. Në Samitin e BE-së mbi Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në muajin tetor, është theksuar se “…aftësia për të pranuar kandidatë të rinj në BE varet në linjë të parë nga zhvillimi i brendshëm i vetë asaj”. Çfarë nënkupton kjo konkretisht?

Kjo do të thotë që vetë BE-ja duhet të zhvillohet në këtë drejtim duke arritur deri në atë pikë, që kur të vijë puna tek pranimi, të vendosë shpejt dhe me efikasitet. Kjo është për momentin një nga problemet interne më të mëdha. Le të kujtojmë politikën e jashtme. Ndodh shpesh që disa vende anëtare të bllokojnë vendime dhe kjo ka si rrjedhojë heshtjen e BE-së për sa i përket temave me interes global. P.sh: negociatat për pranim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut shtyhen për shkaqe interesash kombëtare, por jo globale. Kjo duhet të ndryshojë për shkak se nuk bën duke vënë në punë mekanizmin e vendimeve mazhoritare për tema të rëndësishme.

Albinfo.at: Si argumentohet nga BE-ja fakti që për kandidatët si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova „për liberalizimin e vizave” ende nuk kanë asnjë qartësi për shanset e tyre të mëtejshme? 

Kjo nuk ka asnjë arsye të qartë apo përfundimtare dhe ky është në fakt problemi. Unë po punoj në këtë drejtim për më shumë transparencë dhe argumentim në procesin e anëtarësimit.

Foto: Alissar Najjar

Albinfo.at: Ju keni theksuar shpesh se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e kanë përmbushur pjesën e tyre, por duke parë reagimin e BE-së, besimi i tyre në të po venitet. Ndërkohë që besimi kundrejt BE-së zvogëlohet, vakumi po përdoret nga fuqi të mëdha, si: Rusia, Kina apo Turqia në favorin e tyre. Sipas mendimit tuaj, pse duhet të kenë vendet e Ballkanit Perëndimor ende besim në BE?

Ballkani Perëndimor i takon Evropës. Gjithashtu mund të them se miratimi dhe simpatia për integrim në Evropë është në Ballkan në shkallë dërrmuese. Në BE duhet të shqyrtojnë të gjithë se çfarë do të thoshte një kthesë e kësaj në drejtim të Rusisë dhe Kinës. Reformat për përforcimin e drejtësisë, lirië së mediave dhe pavarësisë në drejtësi mund të zhvilloheshin në këtë rast komplet në një drejtim tjetër.

Albinfo.at: Për Shqipërinë vlejnë si kritere për pranim në BE, stabiliteti institucional, demokracia, drejtësia si dhe monitorimi i të drejtave të njeriut. Ku qëndron Shqipëria në këto pika?

Shqipëria ka bërë përparime të mëdha për sa i përket drejtësisë, administratës dhe luftës kundër krimit të organizuar. Unë mendoj se tani e ka radhën BE-ja të mbajë premtimet e saj dhe të konfirmojë zyrtarisht marrjen e negociatave për pranim.

Albinfo.at: Liberalizimi i vizave për Kosovën vazhdon të mos e marrë dritën e gjelbër. Ju keni thënë se ky status si “vend i kategorisë së dytë” duhet të largohet një herë e mirë. Pse e meriton Kosova liberalizimin e vizave, sipas jush?

Të rinjtë në Kosovë dëshirojnë me të vërtetë t’i afrohen Evropës sa më shpejt. Ne, duhet t’i mbështesim ata dhe të liberalizojmë vizat, dhe kjo duhet të ishte bërë me kohë. Kosova i ka bërë detyrat e saj, tani duhet unioni të mbajë premtimin e bërë. Bllokimi i tejzgjatur po shkakton me të drejtë në popullsinë kosovare frustrim dhe po dobëson forcat evropiane në vend. Ne, si BE s’duhet ta lejojmë më këtë.

Albinfo.at: Muaj më parë ju keni pasur një takim me kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti. Si e sheh Parlamenti Evropian qeverisjen e re në Kosovë?

Kosovës i nevojitet në radhë të parë stabilitet politik, pra asaj i duhet të absolvojë një reformë në strukturimin e politikës së brendshme. Një pikë themelore nga pikëpamja e BE-së është lufta e vazhdueshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto janë detyra gjigande, por unë besoj se qeveria e Albin Kurtit ka forcë dhe mbështetjen të mjaftueshme nga populli për ta kaluar me sukses këtë provë.

Albinfo.at: Edhe 22 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe 13 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ende vazhdohet të ketë bisedime mes Kosovës dhe Serbisë. Cili është qëndrimi juaj për dialogun dhe zgjidhjen më të mirë të dy palëve?

BE-ja duhet të ndikojë në mënyrë masive që në Kosovë dhe në Serbi të vendoset një kulturë politike që bazohet në kompromis dhe dialog.

Albinfo.at: Pas gushtit 2021 janë premtuar një milion doza vaksine COVID për shtetet e Ballkanit. Ka ndodhur kjo? Si i ka përkrahur BE-ja këto shtete gjatë pandemisë?

BE-ja i ka përkrahur shtetet e Ballkanit në luftën kundër koronës nëpërmjet vënies në dispozicion të materialeve mjekësore si dhe vaksinave, por, edhe nga ana financiare dhe ajo organizatore. Me informacion të shtatorit 2021 janë dhuruar 640.000 teste dhe 13 milion maska. Më tej janë dhënë ndihma direkte prej 41 milionë eurosh, ndërkohë që janë premtuar ndihma prej 385 milion eurosh. Nëpërmjet Bankës Evropiane Investitore është bërë kërkesë për kredite të lira me volum 1,7 miliard euro. BE-ja ka dhuruar gjithashtu 2 milion doza vaksine (Biontech/Pfizer & AstraZeneca) për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Albinfo.at: Cila është këshilla për politikëbërësit shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë?

Këtu nuk ka vend për këshilla të mira, ato as që nevojiten. Më shumë duhet dialog në të njëjtin nivel si dhe respekt. Shpresoj që e ardhmja e këtyre shteteve të jetë në Evropë dhe unë do të mundohem me të gjithë forcën për ta bërë këtë të mundur.

 

Autore: Migena Ostermann