Kosova

Albin Kurti prezanton emrat e ministrave

Pritet votimi i Kuvendit

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare, në të cilën pritet të votohet formimi i Qeverisë së re të Kosovës me Albin Kurtin kryeministër. Qeveria e re që pret miratimin nga Kuvendi, është rezultat i marrëveshjes së arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i dha fjalën mandatarit për kryeministër, Albin Kurti, i cili në elaborimin e programit qeverisës, tha se qeveria e tij do të jetë një “qeveri e kursimit të parasë publike”. Kursimet, tha ai, kanë nisur me reduktimin e ministrive nga 21 sa ishin në qeverinë paraprake në 15. Kurse nga 80 poste të zëvendësministrave, ai tha se qeveria e tij do të ketë rreth 33 sosh.

Po ashtu, theksoi Kurti, kursimet do të përfshijnë të gjitha fushat, duke nxitur zhvillimin ekonomik, shtimin e vendeve të reja të punës dhe ndaljen e emigrimit të qytetarëve të Kosovës për në vendet e tjera evropiane.

“Në Kosovë sot ka më shumë treg të zi e të hirtë sesa treg të lirë. Ne këtë do ta ndryshojmë”, theksoi Kurti.

Ai tha se Administrata Tatimore dhe Dogana do të bashkohen për të lehtësuar mbledhjen e tatimeve.

Kurti premtoi se buxheti do të arrijë në 3 miliardë euro. Kurse sa i përket tregut të punës, premtoi mbrojtje të punëtorëve, duke synuar që punonjësit të punojnë nga 8 orë në ditë apo 40 orë në javë. Për të respektuar këto kritere, Kurti tha se do të rrisë numrin e inspektorëve të punës që do të garantojnë zbatimin e ligjit.

Kurti tha se do të angazhohet që qeveria nën drejtimin e tij të luftojë korrupsionin, të nisë procesin e vetting-ut të përgjithshëm si dhe u zotua që shërbimi ushtarak në Kosovë të jetë i detyrueshëm, për një kohëzgjatje prej 3 muajve.

Nga aspekti politik, Kurti tha se është i gatshëm të udhëheqë bisedimet me Serbinë, duke krijuar një ekip gjithëpërfshirës.

Kurti prezanton kabinetin qeveritar

Qeveria e re e Kosovës është propozuar që të ketë 15 ministri. Kryeministri pritet t’i ketë edhe dy zëvendëskryeministra, kurse në përbërjen e saj, qeveria pritet të ketë edhe 33 zëvendësministra.

 

Kryeministër i Kosovës – Albin Kurti (LVV)
Zëvendëskryeministër i parë – Avdullah Hoti (LDK)
Zëvendëskryeministër i dytë – Haki Abazi (LVV)
Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporë – Glauk Konjufca (LVV)
Ministër i Integrimit Evropian -Blerim Reka (LVV)
Ministre e Drejtësisë – Albulena Haxhiu (LVV)
Ministre e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit -Hykmete Bajrami (LDK)
Ministër i Financave dhe Transfereve – Besnik Bislimi (LVV)
Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike – Agim Veliu (LDK)
Ministër i Ekonomisë, Punësimit Tregtisë, Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Investimeve Strategjike – Rozeta Hajdari (LVV)
Ministër i Mbrojtjes – Anton Çuni (LDK)
Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit- Lumir Abdixhiku (LDK)
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Besian Mustafa (LDK)
Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitia (LVV)
Ministre e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Vlora Dumoshi (LDK)
Ministre e Administrimit të Pushteti Lokal – Emilia Rexhepi (Grupi 6+)
Ministër për Komunitet dhe Kthim – Dalibor Jevtiq (Lista Serbe)
Ministër për Zhvillim Rajonal – Ivan Millojeviq (Lista Serbe)
Deputetët diskutojnë për programin qeverisës
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullahaxha-Kollçaku ftoi deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

“Kjo seancë është ngjarje historike, në Kosovën e pas pavarësisë, sepse për herë të parë opozita ka fituar. Sot kemi për të votuar Qeverinë Kurti dhe koalicionin që aq shumë e pritën qytetarët tanë. Porosia (v.j e qytetarëve) sot do të vihet në vend”, tha ajo.

Ndërkaq, Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se programi qeverisës i hartuar nga LVV dhe LDK është i koordinuar nga dy partitë, që sipas tij, prek të gjitha fushat.

“Sot kemi një program qeveritar të koordinuar i cili i ka të gjitha fushat e mbuluara. Ky program, i hartuar nga LVV dhe LDK është një program plotësisht i dakorduar. Por sot, jemi para jush me një program të koordinuar dhe me një listë për ministra shumë të mirë dhe jemi para jush të kërkojmë besimin tuaj për qeverinë e re”, tha Gashi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha se partia e tij nuk do të hesht më për akuzat që i janë bërë si dhe ka akuzuar mandatarin për kryeministër për mosnjohje të shtetit të Kosovës dhe lojëra për interesa personale.

“Si po ja lëjmë Kosovën një njeriu i cili nuk njeh shtetin e Kosovës dhe as nuk mendon të jetojë në të, Sot ti ke pranuar gjithçka dhe po i harron të gjitha vetëm për interesat tua. Nga sot, Albin dhe të gjithë ju, ne nuk do të heshtim, prej sot e tutje si do të silleni, por edhe për akuzat tuaja të deritashme nuk do të heshtet më”.

“Duhet të tregosh edhe për përbërjen e qeverisë që e ke, a do ta luftosh Serbinë, apo neve me anë të Gjykatës Speciale”, tha Veseli mes tjerash në fjalimin e tij.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu u shpreh kritike ndaj Albin Kurtit, i cili, sipas saj “duke gëlltitur fjalët dhe premtimet tashmë synon kreun e ekzekutivin”.

“Ne e dimë që jeni mashtrues, por çdo ditë do ta kuptojnë edhe qytetarët”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se qeveria e udhëhequr nga Kurti “do ta ketë jetën e shkurtër”, duke shtuar se “urojmë që vendimi i qeverisë (v.j. së udhëhequr nga Ramush) Haradinaj për taksën 100 për qind për produktet serbe nuk do të preket”.

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Famir Limaj tha se puna e LVV-së sa ishte në opozitë nuk ishte për lavdatë.

Ai e porositi partnerin e koalicionit qeverisës, LDK-në, që “t’ia mësojë” Kurtit sesi funksionon shteti.

“Kosova ka kulturë demokratike. Për 20 vjet një njeriu që nuk e ka njohur Kosovën (v.j referencë për Albin Kurtin), për shumë kohë nuk e ka njohur flamurin e Kosovës, e nuk i është ngritur në këmbë himnit te Kosovës, sot Kosova i jep mundësin e zgjedhjes për kryeministër”, tha Limaj, duke e porositur Kurtin se në bisedimet me Serbinë, asnjëherë nuk do të arrijë marrëveshje, e cila do të jetë e dëmshme për Kosovën.

Për formimin e qeverisë, janë të nevojshme të paktën 61 vota për, nga 120 deputetë sa ka Kuvendi. Duke mos llogaritur komunitetet pakicë, LVV dhe LDK kanë së bashku 57 vota në Kuvend.

Deputetët e Listës Serbe marrin pjesë në seancën plenare të 3 shkurtit.

Përderisa Lista Serbe, e cila në Kuvend ka grupin parlamentar prej 11 deputetëve, është deklaruar se nuk do të votojë për qeverinë e re, shpresat e Kurtit mbështeten te votat e komuniteteve joserbe, përkatësisht komuniteti turk, boshnjak, rom, egjiptian e ashkali, që së bashku kanë 9 ulëse në Kuvend.