Lajme

A po shkaktojnë kaos certifikatat e vaksinimit?

Sipas 'The Economist' problemi qëndron te njerëzit, jo teknologjia

Para Luftës së Parë Botërore, shumë vende nuk kërkonin pasaporta. Por pasi nisën konfliktet, shtetet u përpoqën të paraqisnin dokumente udhëtimi për të ndihmuar në sigurimin e kufijve të tyre.

Pas armëpushimit, rezultati ishte një mori hutuese informacionesh të ndryshme për kombësi të ndryshme, që mund të krijonte kaos dhe trazira në pikat kufitare. Kthimi në një botë ku njerëzit mund të udhëtonin lirisht përtej kufijve, deri atëherë ishte i papërfytyrueshëm.

Në vitin 1920, ndërhyri Lidhja e Kombeve. Ajo krijoi një broshurë me 32 faqe, ku shkruhej emri i shtetit në kopertinë dhe informacione bazë personale, si vendi dhe data e lindjes e personit. Disa qeveri u ankuan për këtë procedurë dhe Franca e konsideronte broshurën tepër të shtrenjtë për t’u printuar, në krahasim me fletën e vetme që shtypte për qytetarët e saj. Për të arritur përshtatjen, u deshën disa vite.

Sot, të gjitha pasaportat ndjekin të njëjtin format. Qoftë në Aeroportin Heathrow të Britanisë, apo në Moshoeshoe International të Lesotos, mjafton që zyrtarët e aeroporteve t’i hedhin një sy pasaportës dhe janë të sigurt mbi privilegjet e udhëtimit të bartësit të saj.

Gjatë pandemisë Covid-19, është duke u zhvilluar një proces i ngjashëm. Shtetet kanë nxituar të krijojnë pasaporta vaksinash për të ndaluar përhapjen e virusit përtej kufirit dhe më pas nëpër vende publike si restorante dhe palestra. Shpesh njerëzit duhet të tregojnë një dëshmi se janë vaksinuar, kanë pasur rezultate negative të një testi Covid-19 së fundmi, ose janë shëruar nga Covid-19.

Këtë herë, qeveritë nuk janë të vetme. Teknologjia ka hapur dyert për kompanitë si IBM dhe Microsoft, shoqatat e industrisë si Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror dhe organizatat joqeveritare si Forumi Ekonomik Botëror. Tre studentë universitarë në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Austri, e kaluan gjithë verën duke u përpjekur të krijonin një pasaportë universale, që do të funksiononte në të gjithë Bashkimin Europian. Ata nuk kanë para për të bërë shumë reklamime, por aplikacioni i tyre GreenPass, është shkarkuar 100,000 herë.

Ashtu si gjatë luftës botërore, urgjenca e ka mposhtur koordinimin. India, e cila ka administruar mbi një miliard doza, ka një certifikatë “CoWIN” me një kod QR, që identifikon informacionin, por çuditërisht, kjo certifikatë nuk mbart një fotografi të personit në fjalë, por të kryeministrit të vendit, Narendra Modi.

Banorët në Angli mund të zgjedhin midis një kodi QR në aplikacionin ose në faqen online të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) ose një letre vërtetimi nga mjeku i tyre. Në Amerikë, ku presidenti Joe Biden ka thënë se nuk do të krijojë një bazë të dhënash kombëtare të vaksinimit, po përdoren një sërë lejesh të ndryshme shëndetësore, si shtetërore dhe private.

Problemi është se këto pasaporta nuk janë të ndërveprueshme. Shumica duken njësoj: një kod QR në një celular smartphone ose në një copë letre. Megjithatë, edhe skanimi i kodeve mund të jetë problematik. Aplikacione të ndryshme verifikuese lexojnë pasaporta të ndryshme.

Pasi skanohen, kodet ofrojnë informacione shumë të ndryshme, në varësi të sistemeve shëndetësore kombëtare ose lokale, apo qëndrimeve mbi privatësinë. Disa pasaporta vaksinash, si CommonPass që përdoret në disa pjesë të Amerikës, ndajnë të dhëna të papërpunuara mbi statusin e vaksinimit.

Të tjera, si ato të lëshuara nga NHS, tregojnë vetëm një simbol, një shenjë tik, ose një kryq. Edhe rregullat e lojës nuk janë fikse. Pas rritjes së infeksioneve këtë muaj, Izraeli e hoqi “pasaportën e gjelbër” për 2 milionë njerëz që nuk kishin marrë ende dozat përforcuese.

 

Pengesat

Barrat administrative, tregtare, madje edhe psikologjike, janë të dukshme në aeroporte. Numri i udhëtarëve ka rënë midis 85% dhe 90%, megjithatë pengesat janë rritur më tepër. Radhët në aeroporte janë zgjatur ndërsa udhëtarët e shqetësuar rrëmojnë nëpër xhepa dhe çanta për copa letrash dhe kode QR. Zyrtarët përpiqen të gjurmojnë vazhdimisht se cilat vaksina janë miratuar nga rregullatorët shtetërorë dhe për sa kohë janë të vlefshme rezultatet e testeve, për cilat destinacione. Siç thotë Corneel Koster, zyrtari operativ në linjën ajrore Virgin Atlantic: “Është si një xhungël”.

Është koha për standardizim. Megjithatë, krijimi i një leje dixhitale shëndetësore është më i ndërlikuar se hartimi i një dokumenti udhëtimi. Pasaportat mund të zbulojnë moshën, por lejet e vaksinave janë porta për informacione personale shëndetësore.

Kjo gjë i tremb njerëzit. Edhe midis vendeve me norma relativisht të larta vaksinimi, mbështetja për pasaportat e vaksinave ndryshon, nga 52% në Hungari, në 84% në Britani. Në Indi, njerëzit janë mësuar me marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe skanimet e irisit, si pjesë e sistemit biometrik të identifikimit, Aadhaar. Megjithatë, shumë njerëz, si Debjani Mazumder, drejtues ekzekutiv në Delhi, shqetësohen për kompanitë farmaceutike dhe kompanitë e sigurimit që mbajnë të dhënat shëndetësore të qytetarëve.

Në teori, teknologjia dixhitale duhet ta bëjë të lehtë verifikimin e statusit të vaksinimit. Megjithatë, për shkak se aplikacionet verifikuese nuk mund t’i njohin të gjitha kodet QR, shumë verifikues ndjekin atë që Edgar Whitley në Shkollën Ekonomike të Londrës e quan një qasje “flash-and-go”, pra thjesht i shohin ato kalimthi. Kështu po lulëzon një treg i zi.

Oded Vanunu në Check Point Software Technologies, një kompani e sigurisë kibernetike, është paraqitur si blerës dhe ka marrë në tregun e zi certifikata të rreme vaksinimi franceze për 75 euro (87 dollarë), ato ruse për 9,500 rubla (134 dollarë) dhe alternativa nga Singapori për 250 euro. Këto pasaporta të rreme duken si të vërteta, por do të eliminoheshin nëse do të skanoheshin siç duhet.

Kur agjentët, punëdhënësit dhe stafi i linjës ajrore, skanojnë kodet QR, ata kontrollojnë për dy gjëra: konfirmimin se bartësi është vaksinuar ose testuar për Covid-19 dhe një nënshkrim dixhital që vërteton se informacioni vjen nga një lëshues i besuar.

Uniformiteti në kartat dixhitale të shëndetit do të kërkonte një marrëveshje të gjerë mbi faktin se çfarë informacioni shëndetësor duhet të përfshihet dhe si ai duhet të etiketohet. Kjo duhet të jetë diçka relativisht e lehtë. Në gusht, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) publikoi udhëzime që rekomandojnë të dhënat minimale për një certifikatë. Emri dhe data e lindjes së bartësit plus marka e vaksinimit konsiderohen të nevojshme