Lajme
A është dollari i dobët rrezik për Europën?
Dollari në rënie, euro forcohet, çfarë do të thotë kjo për ekonominë evropiane?
Dollari amerikan po vazhdon të humbasë vlerë ndaj monedhave kryesore botërore, duke ndjekur trendin rënës të vitit 2025, kur regjistroi dobësimin më të madh në gati një dekadë, përcjell albinfo.ch.
Gjatë vitit të kaluar, monedha amerikane u zhvlerësua rreth 10 për qind kundrejt një shporte valutash, ndërsa që nga fillimi i vitit 2026 ka rënë edhe me 2.6 për qind të tjera. Si pasojë, euro ka arritur për herë të parë që nga viti 2021 nivelin e 1.20 dollarëve, ndërsa edhe paundi britanik dhe yeni japonez janë forcuar ndjeshëm ndaj valutës amerikane.
Pse po dobësohet dollari?
Sipas ekonomistëve, një nga arsyet kryesore lidhet me pasigurinë e investitorëve për shkak të politikave të paparashikueshme ekonomike në SHBA. Megjithatë, ekziston edhe një tjetër interpretim: një dollar më i dobët mund të jetë në interes të administratës amerikane, pasi i bën eksportet më konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Presidenti Donald Trump nuk e ka mohuar këtë ide. I pyetur nëse shqetësohet për dobësimin e dollarit, ai u përgjigj shkurt: “Jo, kështu është shumë mirë.”
Në të njëjtën linjë, Stephen Miran, ish-kryetar i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të Trumpit dhe aktualisht pjesë e bordit të Rezervës Federale (Fed), ka theksuar se tarifat doganore dhe zhvlerësimi i dollarit mund të jenë mjete për të ulur deficitin tregtar të SHBA-së.
Si ndikon kjo në Evropë?
Dobësimi i dollarit ka sjellë forcimin e euros, e cila gjatë vitit 2025 fitoi rreth 13 për qind vlerë – rritja më e madhe që nga viti 2017.
Sipas Jack Allen-Reynolds nga Capital Economics, një euro më e fortë ka ndikim të drejtpërdrejtë në rendimentin ekonomik, tregun e punës dhe financat publike në Bashkimin Evropian.
“Një euro më e fuqishme ul konkurrueshmërinë e eksporteve, duke dëmtuar prodhuesit evropianë. Nga ana tjetër, importet bëhen më të lira, çka mund të ulë çmimet për konsumatorët,” vlerëson ai.
Edhe Ricardo Amaro nga Oxford Economics paralajmëron se një rritje e mëtejshme e euros mund të dëmtojë kompanitë evropiane që eksportojnë në SHBA. Sipas llogaritjeve të institucionit, nëse kursi euro-dollar mbetet rreth 1.20, ekonomia e eurozonës mund të regjistrojë një produkt të brendshëm bruto rreth 0.2 për qind më të ulët sesa pritej.
A do të ndërhyjë Banka Qendrore Evropiane?
Forcimi i euros ka nxitur diskutime mbi një ndërhyrje të mundshme të Bankës Qendrore Evropiane (BQE). Guvernatori i Bankës Qendrore të Austrisë, Martin Kocher, e cilëson rritjen aktuale si “të moderuar”, por nuk përjashton masa nëse trendi vazhdon.
Aktualisht, BQE po përpiqet të ndikojë pritshmëritë e tregut përmes deklaratave zyrtare dhe mund të shqyrtojë uljen e normave të interesit për të frenuar rritjen e mëtejshme të euros.
Megjithatë, disa ekspertë mbeten më të qetë. Ekonomisti Zsolt Darvas thekson se ndikimi në inflacion është minimal dhe se bizneset janë mësuar të përballen me luhatje edhe më të forta të kursit të këmbimit. /DW
E-Diaspora
-
Nga Ferizaj në skenën e Miss World 2026, Blair Isufi: Ky rrugëtim është për Kosovën Përfaqësuesja e Kosovës në Miss World 2026, Blair Isufi, ka prezantuar historinë e saj personale dhe... -
Konsullata e Kosovës në Gjenevë organizon aktivitete përkujtimore për personat e zhdukur -
Konferenca IV “Ekonomia shpëton Luginën” mbahet me 26 shtator në Bujanoc -
Enis Rexhepi shënon 5 gola ndaj Bayern Munich U-19 -
Bashkatdhetarët përfundojnë pushimet, pritje të gjata në Merdare për të dal nga Kosova
Jeta në Austri
-
Interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Austri – Kosovë, shiten 40 mijë bileta Sektorët A dhe F janë të rezervuara enkas për tifozët e Kosovës ("Dardanët"), dhe pothuajse janë... -
Austri: Ministria e Financave paralajmëron për mashtrim me ndihmën familjare -
A do të shtrenjtohen hipotekat dhe kreditë nëpër Evropë? -
Austri: Meteorologët japin paralajmërim për stuhi -
20,000 austriakë kërkojnë vende pune si praktikantë mes boshllëqeve në trajnim














