Skip to content

Më pak lindje në Maqedoninë e Veriut, vdekjet tejkalojnë të porsalindurit

(KEYSTONE/Gaetan Bally)

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026 u regjistruan 4.160 lindje dhe 4.807 vdekje. Numri i lindjeve ra me 4,8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Maqedonia e Veriut vazhdon të shënojë bilanc negativ natyror të popullsisë. Gjatë periudhës korrik-shtator të këtij viti, numri i vdekjeve e tejkaloi atë të lindjeve me 647 persona, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, përcjell albinfo.ch.

Në tremujorin e tretë të vitit 2026 u regjistruan 4.160 lindje të gjalla, ose 4,8 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ndërkohë, numri i vdekjeve arriti në 4.807, duke shënuar rritje prej 0,1 për qind.

Kështu, për çdo 100 lindje u regjistruan rreth 116 vdekje.

Në të njëjtën periudhë u lidhën 3.524 martesa, një rritje prej 0,5 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërsa numri i divorceve ishte 397. /Albinfo.ch