Zvicra dhe Shqipëria kanë nisur fazën e dytë të bashkëpunimit në fushën e pronësisë intelektuale, përmes një programi me vlerë 1 milion franga zvicerane. Projekti synon të mbështesë inovacionin, konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe procesin e integrimit evropian, përcjell albinfo.ch.
Programi “SwissPartnershIP Albania” u prezantua më 26 nëntor në Hotel Plaza në Tiranë, në praninë e përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, Ambasadës së Zvicrës, bizneseve, ndërmarrjeve të reja dhe ekspertëve të pronësisë intelektuale.
Ai do të zgjasë katër vjet, financohet nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe zbatohet nga Instituti Federal Zviceran i Pronësisë Intelektuale (IPI).
Një nga prioritetet është mbështetja për zhvillimin e një kuadri të ardhshëm “Made in Albania”, të frymëzuar nga përvoja zvicerane me etiketën “Swiss Made”. Synimi është që produktet shqiptare të forcojnë identitetin, standardet e cilësisë dhe konkurrueshmërinë në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.
Gjatë prezantimit, ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Siri Walt, theksoi se mbrojtja e pronësisë intelektuale u mundëson krijuesve të përfitojnë nga puna dhe idetë e tyre.
“Pronësia intelektuale ka të bëjë me idetë, kreativitetin dhe shndërrimin e talentit në mundësi”, u shpreh ajo.
Programi do të përqendrohet në forcimin e kuadrit ligjor, përmirësimin e administrimit dhe zbatimit të të drejtave të pronësisë intelektuale, ndërgjegjësimin e përdoruesve dhe mbështetjen për kthimin e ideve në produkte e shërbime tregtare.
Bashkëpunimi do të përfshijë një partneritet të drejtpërdrejtë ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale të Shqipërisë dhe institutit zviceran IPI, për shkëmbimin e ekspertizës dhe përvojave profesionale.
Faza e re mbështetet në rezultatet e projektit të mëparshëm shqiptaro-zviceran ALSIP, i cili kontribuoi në reformat ligjore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale. Ajo synon gjithashtu të ndihmojë Shqipërinë në përafrimin e mëtejshëm me standardet e BE-së në fushën e pronësisë intelektuale. /Albinfo.ch
