Fondet nga Plani i Rritjes që Kosova nuk i ka shfrytëzuar brenda afateve pritet të rishpërndahen në favor të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, përcjell albinfo.ch.
Rishpërndarja e planifikuar synon të mbështesë vendet që kanë shënuar përparimin më të madh në përmbushjen e reformave. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka paralajmëruar këtë hap pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, të mbajtur më 25 nëntor në Bruksel.
Në rastin e Kosovës, vonesat institucionale kanë penguar miratimin e vendimeve të nevojshme për përfitimin e pagesave. Megjithatë, shuma përfundimtare e mjeteve që vendi humb dhe ndarja e tyre ndërmjet përfituesve të tjerë ende pritet të konfirmohen.
Komisioni Evropian sqaron se fondet e parashikuara fillimisht për secilin vend nuk janë të garantuara. Përfitimi i tyre kushtëzohet nga zbatimi i reformave dhe përmbushja e kritereve të përcaktuara në agjendat përkatëse.
Nëse një vend nuk i përmbush kushtet e nevojshme për pagesë, Komisioni mund t’ia zvogëlojë fondet dhe t’i rishpërndajë ato ndërmjet vendeve që i kanë plotësuar kërkesat.
Në deklaratën zyrtare pas samitit, von der Leyen theksoi se përparimi me reformat mund të mundësojë lirimin e 338 milionë eurove për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve në vijim. Kjo shumë përfaqëson pagesa të mundshme për këto vende dhe nuk është identifikuar si shuma e fondeve të humbura nga Kosova./Albinfo.ch