Skip to content

Krerët shtetërorë të Kosovës shënojnë 28 Nëntorin në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, morën pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në prag të shënimit të 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë pritje, ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve të Kosovës, diplomatë, ish-presidentë, përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë dhe personalitete të tjera, Presidentja Shiroka Pula dhe kryeministri Kurti mbajtën fjalime kushtuar rëndësisë historike të 28 Nëntorit dhe lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Presidentja Shiroka Pula theksoi se flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare është simbol i shtetit shqiptar dhe i gjithë kombit shqiptar, kudo që jeton. Ajo rikujtoi shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, duke veçuar kontributin e patriotëve nga të gjitha trevat shqiptare, ndër ta Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin.

Duke folur për rëndësinë e kësaj date në historinë e Kosovës, Presidentja tha se 28 Nëntori përmbledh disa ngjarje historike, përfshirë Ditën e Flamurit, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo vlerësoi sakrificën e familjes Jashari dhe luftën e UÇK-së për liri.

Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Shiroka Pula theksoi se asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën u ndërtua ajo.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij, rikujtoi shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 1912, duke theksuar se aspirata për liri dhe pavarësi mbetet e rëndësishme edhe sot.

Ai përmendi periudhat e pushtimit dhe të shtypjes që kanë përjetuar shqiptarët, duke theksuar se Kosova u çlirua në qershor të vitit 1999 dhe u shpall shtet sovran në shkurt të vitit 2008.

Kryeministri Kurti tha se Kosova synon anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, ndërsa theksoi se bashkëpunimi me Shqipërinë është i karakterit vëllazëror dhe strategjik. Sipas tij, ndërmjet dy vendeve janë nënshkruar, zbatuar ose janë në proces zbatimi gjithsej 190 marrëveshje, në fusha si arsimi, ekonomia, energjia, infrastruktura, bujqësia, shëndetësia, siguria, kultura dhe diaspora.

Ai vlerësoi gjithashtu se Kosova dhe Shqipëria kanë dëshmuar se janë partnerë të besueshëm në ruajtjen dhe promovimin e paqes në Evropë dhe në botë.

Në përfundim të fjalës së tij, Kurti rikujtoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Kongresin e Alfabetit dhe ngjarjet historike që lidhen me 28 Nëntorin, duke i cilësuar ato si themele të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Presidentja Shiroka Pula, në fund, bëri thirrje për ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe kujtesës historike, si dhe për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar nevojën për më shumë integrim mes dy vendeve.

Ajo e përmbylli fjalën me mesazhin: “Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë, deri te dita kur së bashku do të ngremë dolli në Bruksel!”