Skip to content

Kusari-Lila prezanton potencialin ekonomik të Kosovës para investitorëve ndërkombëtarë në Frankfurt

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar potencialin ekonomik të Kosovës para përfaqësuesve të qeverive, institucioneve dhe investitorëve ndërkombëtarë, në edicionin e 11-të të Investment Management Exhibition (IME 2026), që po mbahet në Frankfurt të Gjermanisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kusari-Lila ka thënë se Kosova është ekonomi në zhvillim, e orientuar drejt së ardhmes evropiane dhe e gatshme për të tërhequr investime të reja ndërkombëtare.

Ajo ka theksuar se investimet e huaja direkte në Kosovë kanë kaluar për herë të parë shifrën prej një miliard eurosh, ndërsa vendi ka mbi 53 mijë biznese aktive dhe 426 mijë vende pune të regjistruara.

Sipas saj, sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) ka arritur rreth 400 milionë euro eksporte.

Kusari-Lila ka përmendur gjithashtu kushtet që, sipas saj, e bëjnë Kosovën tërheqëse për investitorët e huaj, përfshirë tatimin në fitim prej 10 për qind, mundësinë e pronësisë 100 për qind të huaj, përdorimin e euros dhe lehtësimin e pagesave ndërkombëtare përmes integrimit në SEPA.

Në prezantimin e saj, ajo i ka kushtuar vëmendje të veçantë edhe bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë, duke bërë të ditur se rreth 200 kompani me kapital gjerman operojnë aktualisht në Kosovë.

Ajo ka thënë se pjesëmarrja në këtë ekspozitë në Frankfurt synon të krijojë mundësi për partneritete të reja, tërheqjen e linjave të prodhimit dhe integrimin e bizneseve kosovare në zinxhirët evropianë të vlerës.

Në fund, Kusari-Lila ka përsëritur mesazhin se Kosova është e hapur për investime dhe partneritete afatgjata ndërkombëtare.