Vdekshmëria nga kanceri në Zvicër është më e ulët sot krahasuar me vitet ’80, por numri i rasteve të reja të diagnostikuara është rritur, veçanërisht te gratë. Këto janë të dhënat e Zyrës Federale të Statistikave të Zvicrës, të publikuara në një prezantim të ri, i cili për herë të parë paraqet ecurinë e rasteve të kancerit dhe vdekjeve të shkaktuara nga kjo sëmundje në periudhën 1984–2023.
Sipas Stefanie de Borba, përgjegjëse për komunikim në Ligën Zvicerane Kundër Kancerit, para tri dekadash diagnostikimi me kancer shpesh konsiderohej pothuajse i barabartë me një dënim me vdekje. Sot, personat e prekur kanë mundësi të jetojnë edhe shumë vite pas diagnostikimit.
Rënia e vdekshmërisë dhe rritja e rasteve të reja
Te burrat, shkalla e standardizuar e vdekshmërisë nga kanceri është pothuajse përgjysmuar që nga vitet ’80, ndërsa te gratë ka rënë për rreth një të tretën.
Megjithatë, trendi është i ndryshëm sa i përket rasteve të reja. Numri i diagnostikimeve te burrat ka mbetur përafërsisht në nivelin e fillimit të periudhës së analizuar, ndërsa te gratë është rritur.
Rritja është veçanërisht e dukshme në grupmoshën 25–44 vjeç. Kjo lidhet, nga njëra anë, me zbulimin më të hershëm dhe më të shpeshtë të tumoreve nga mjekët dhe, nga ana tjetër, me të dhënat që tregojnë se disa lloje të kancerit po shfaqen më shpesh te të rriturit e rinj sesa në të kaluarën. Ky trend është dokumentuar veçanërisht për kancerin e zorrës së trashë dhe atë të mitrës.
Arsyet e rritjes së rasteve të disa llojeve të kancerit janë ende objekt studimi, thotë Andreas Wicki, zëvendësdrejtor i Klinikës së Onkologjisë Mjekësore dhe Hematologjisë në Spitalin Universitar të Cyrihut.
Ndër faktorët e mundshëm përmenden ndryshimet në stilin e jetesës dhe në mjedis, mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik, konsumimi i alkoolit, ndryshimet në mënyrën e të ushqyerit, ndotja dhe ekspozimi ndaj substancave të dëmshme. Për disa lloje të kancerit, ndikim mund të kenë edhe rënia e natalitetit dhe mosha më e vonshme e shtatzënisë së parë.
Cilat janë llojet më të shpeshta të kancerit?
Mesatarisht, në periudhën 2019–2023, në Zvicër janë diagnostikuar rreth 49 mijë e 700 raste të reja të kancerit në vit.
Kanceri i prostatës ishte më i shpeshti, i ndjekur nga kanceri i gjirit. Ndërkaq, kanceri i mushkërive, bronkeve dhe trakesë shkaktoi numrin më të madh të vdekjeve, me një mesatare prej rreth 3 mijë e 220 viktimash në vit.
Një ndryshim i dukshëm është vërejtur edhe në rastet e kancerit të mushkërive. Në gjysmën e dytë të viteve ’80, ky lloj kanceri diagnostikohej pothuajse shtatë herë më shpesh te burrat e moshës 65–84 vjeç sesa te gratë e së njëjtës grupmoshë.
Që atëherë, ky dallim është zvogëluar ndjeshëm. Shkalla e diagnostikimit te burrat ka rënë, ndërsa te gratë është më shumë se trefishuar.
Stefanie de Borba e lidh këtë ndryshim drejtpërdrejt me konsumin e duhanit. Sipas saj, gratë kanë filluar të pinë duhan më vonë se burrat dhe pasojat e këtij ndryshimi po pasqyrohen sot edhe në statistikat e kancerit.
Jeta pas diagnostikimit
Statistikat tregojnë numrin e personave që preken nga kanceri dhe atyre që humbin jetën si pasojë e kësaj sëmundjeje, por nuk pasqyrojnë plotësisht mënyrën se si pacientët jetojnë me të dhe ndikimin që kanë diagnostikimi dhe trajtimi në jetën e tyre.
Disa persona përballen me vështirësi financiare, ndërsa të tjerë vuajnë për një kohë të gjatë nga lodhja e shkaktuar nga sëmundja. Pasojat shpesh prekin të gjithë familjen dhe jo vetëm personin e diagnostikuar, thekson de Borba.
Sipas saj, çështja e ndihmës dhe mbështetjes në dispozicion duhet të trajtohet që gjatë procesit të mjekimit. Megjithatë, ndërgjegjësimi për këto nevoja është rritur dhe tashmë ekzistojnë shërbime këshillimi dhe qendra të specializuara për mbështetjen e personave të prekur nga kanceri.