Skip to content

Çështja Nvidia në Kongres, kërkohet dëshmia e Huang dhe sekretarit të Tregtisë

Ligjvënësit amerikanë kërkojnë sqarime për eksportet e çipave drejt Kinës dhe dyshimet për spiunazh. Howard Lutnick ka pranuar të dëshmojë.

Ish-drejtuesi i Nvidia-s, Jensen Huang, dhe sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, janë ftuar të dëshmojnë para Komisionit Bankar të Senatit amerikan lidhur me shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe aktivitetet e kompanisë në Kinë, përcjell albinfo.ch.

Kryetari i komisionit, Tim Scott, ka kërkuar paraqitjen e Huang më 3 dhjetor dhe të Lutnick më 10 dhjetor. Sipas raportimit, një zëdhënës i Departamentit të Tregtisë ka konfirmuar se Lutnick ka pranuar të dëshmojë. Scott ka paralajmëruar mundësinë e thirrjes së detyrueshme nëse Huang nuk paraqitet vullnetarisht.

Huang dha dorëheqjen nga drejtimi i Nvidia-s pas raportimeve për një marrëdhënie me biznesmenen Alice Huang, të cilën autoritetet amerikane e dyshojnë për spiunazh në favor të Kinës. Pekini i mohon akuzat, ndërsa Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk ka arritur ende në një përfundim për këtë çështje.

Hetimi parlamentar përqendrohet edhe te rreziku që çipat e avancuar të Nvidia-s të kenë përfunduar në Kinë përmes kompanive ndërmjetëse. Senatorët Elizabeth Warren dhe Chris Coons i kanë kërkuar administratës Trump të ruajë dokumentet dhe komunikimet përkatëse, përfshirë materialet që lidhen me kompaninë Megaspeed.

Veçmas, drejtuesit e tri komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve kanë kërkuar intervista me dyer të mbyllura me Huang dhe këshilltarin e përgjithshëm juridik të Nvidia-s, Tim Teter. Ata kërkojnë të sqarojnë rreziqet e mundshme për sigurinë kombëtare dhe respektimin e kontrolleve të eksportit./Albinfo.ch