Skip to content

Punonjësit e pastrimit në Zvicrën frankofone kërkojnë paga më të larta dhe kushte më të mira pune

Punonjësit e sektorit të pastrimit në pjesën frankofone të Zvicrës kanë miratuar një sërë kërkesash për përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave dhe shtimin e pushimit vjetor në pesë javë. Këto kërkesa do të jenë në qendër të negociatave për rinovimin e Marrëveshjes Kolektive të Punës (MKP).

Sipas të dhënave të fundit, në sektorin e pastrimit në Zvicrën frankofone punojnë rreth 17 mijë persona, të punësuar në më shumë se 500 kompani.

Me iniciativën e sindikatës Unia, të dielën në Lozanë u mbajt konferenca e parë profesionale për këtë sektor. Qëllimi i takimit ishte analizimi i gjendjes aktuale, krahasimi i kushteve të punës në kantone të ndryshme dhe përcaktimi i prioriteteve për negociatat e ardhshme.

Gjatë diskutimeve u evidentuan një sërë problemesh të përbashkëta. Pagat e shumë punonjësve janë nën 4 mijë franga zvicerane për një angazhim me orar të plotë. Një pjesë e konsiderueshme punon me orar të pjesshëm dhe përballet me orare të parregullta, ndërsa kushtet e punës vlerësohen si të vështira.

Pesë javë pushim dhe paga më të dinjitetshme

Punonjësit kërkojnë rritjen e fuqisë së tyre blerëse, paga më të mira dhe të drejtën për pesë javë pushim vjetor.

Simon Constantin, anëtar i udhëheqjes së sindikatës Unia, theksoi se çështja e pagave mbetet një nga prioritetet kryesore, por në negociata duhet të trajtohen edhe stresi dhe pasojat që puna e rëndë shkakton në shëndetin e punonjësve.

“Bëhet fjalë për një punë të vështirë, pak të vlerësuar dhe shumë dobët të paguar. Kërkesa për pesë javë pushim nuk është aspak e tepruar”, deklaroi Constantin në një intervistë për radion e mëngjesit.

Sipas sindikatës Unia, marrëveshja kolektive duhet të përshtatet edhe me numrin e madh të punonjësve që punojnë me orar të pjesshëm.

Një problem tjetër lidhet me sigurimin pensional. Disa prej këtyre punonjësve nuk i plotësojnë kushtet për të kontribuar në shtyllën e dytë të sistemit pensional zviceran, gjë që mund t’i vendosë në pozitë më të pafavorshme financiare pas pensionimit.

Negociatat pritet të nisin në pranverë

Marrëveshja Kolektive e Punës në sektorin e pastrimit ka fuqi juridike detyruese. Negociatat ndërmjet partnerëve socialë për rinovimin e saj pritet të fillojnë gjatë pranverës së ardhshme.

Punonjësit shpresojnë që kërkesat e tyre të përkthehen në përmirësime konkrete, veçanërisht në rritjen e pagave, sigurinë sociale dhe njohjen më të madhe të rëndësisë së profesionit të tyre.