Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka bërë të ditur se objektivi kryesor i Dardanëve në dy ndeshjet e nëntorit, kundër Izraelit dhe Republikës së Irlandës, është sigurimi i mbijetesës në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe avancimi në një vazo më të mirë për shortet e ardhshme.
Në konferencën e parë për media pas grumbullimit të ekipit, Foda theksoi se Kosova synon fitore në çdo ndeshje, por rëndësi të veçantë ka përballja e parë kundër Izraelit, e cila do të zhvillohet në shtëpi.
Ai gjithashtu vuri në pah rëndësinë e integrimit të futbollistëve të rinj në Kombëtare, duke e cilësuar këtë si një investim të rëndësishëm për të ardhmen e ekipit dhe përgatitjet për kualifikimet e ardhshme të Kampionatit Evropian.
Në këtë grumbullim, për herë të parë janë ftuar Lindrit Kamberi, Bleon Kurtulus dhe Enis Rexhepi, ndërsa drejtori i Kombëtares, Bajram Shala, bëri të ditur se dokumentacioni i këtij të fundit është ende në proces të kompletimit në FIFA.
Sa i përket gjendjes së futbollistëve, Valmir Matoshi dhe Erblin Osmani do të mungojnë për shkak të lëndimeve, ndërsa Lumbardh Dellova do t’i bashkohet ekipit, me gjendjen e tij fizike që do të vlerësohet nga stafi mjekësor. Për shkak të rikuperimit nga lëndimet, në këtë grumbullim nuk janë përfshirë as Albian Hajdari dhe Vesel Demaku.
Foda ka konfirmuar gjithashtu se vazhdon të jetë në kontakt me futbollistët që ende nuk kanë vendosur se cilën Kombëtare do ta përfaqësojnë. Ai përmendi Lutfi Dalipin dhe Arijon Ibrahimovicin, duke shprehur shpresën që të dy të zgjedhin Kosovën.
Përzgjedhësi theksoi se stafi teknik përcjell vazhdimisht futbollistët në kampionatin vendor dhe në ligat ndërkombëtare, duke i vlerësuar me kritere të njëjta, pavarësisht klubit apo kampionatit ku aktivizohen.
Në këtë kontekst, ai përmendi edhe skuadrat e Prishtinës, Dritës dhe Malishevës, të cilat sipas tij po kalojnë një periudhë të mirë dhe kanë futbollistë me potencial për Kombëtaren.
Sipas Fodës, forma aktuale, vazhdimësia në paraqitje dhe mënyra e lojës janë ndër kriteret kryesore për përzgjedhjen e futbollistëve. Ai mori si shembull Milot Rashicën, duke vlerësuar kontributin dhe energjinë pozitive që ai i ka dhënë ekipit në ndeshjet e fundit.
Ndërkohë, Dardanët zhvilluan stërvitjen e parë sot nga ora 18:30, në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali.