Parlamenti i qytetit të Cyrihut ka miratuar një mocion që obligon shërbimet komunale dhe institucionet e subvencionuara nga qyteti të pranojnë pagesa me para të gatshme.
Vendimi vjen pas debateve për zhdukjen graduale të parasë fizike dhe rritjen e pagesave digjitale. Iniciatorja e mocionit, Tanja Maag nga Lista Alternative, theksoi se pagesat me para të gatshme janë të rëndësishme për personat që nuk kanë llogari bankare ose nuk përdorin aplikacione si Twint.
Ekzekutivi i qytetit e kundërshtoi fillimisht mocionin, duke e konsideruar detyrimin tepër kufizues, por palët arritën një kompromis. Në fund, detyrimi për pranimin e parave të gatshme u kufizua vetëm te shërbimet komunale dhe institucionet që përfitojnë subvencione nga qyteti.
Komuna tani duhet të ndryshojë rregulloret përkatëse për zbatimin e vendimit.
Sipas të dhënave të RTS-së, gjatë vitit 2025 vetëm rreth një e treta e transaksioneve në Zvicër u realizuan me para të gatshme.