Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare pësuan një rënie prej më shumë se 6 për qind, pas shtimit të shpresave për rifillimin e negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilat mund të çojnë drejt përfundimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve të medias amerikane “Axios”, zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i ka përcjellë një letër zyrtarit të lartë iranian për sigurinë kombëtare, Mohsen Rezaei, ku është diskutuar mundësia e nisjes së një raundi të ri bisedimesh. Ky zhvillim shihet si kontakti më i rëndësishëm mes dy vendeve gjatë muajve të fundit.
Nga ana tjetër, Teherani ka shprehur gatishmërinë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda 48 orëve, në rast se Uashingtoni pranon përfundimin e luftës në të gjitha frontet dhe plotëson edhe disa kërkesa të tjera të Iranit.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, deklaroi gjithashtu se udhëheqësi suprem, Mojtaba Khamenei, i ka dhënë qeverisë autorizimin për të zhvilluar negociata me SHBA-në, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje që do t’i japë fund konfliktit në rajon.
Rënia e çmimeve të naftës dhe gazit u reflektua edhe në tregjet financiare, duke ndikuar negativisht në aksionet e kompanive të mëdha energjetike. Ndërkohë, sektorë të tjerë ekonomikë pritet të përfitojnë nga ulja e shpenzimeve për karburantet.
Megjithatë, ekspertët e tregjeve mbeten skeptikë për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të shpejtë mes dy vendeve.
Arne Lohmann Rasmussen, analist kryesor në kompaninë “Global Risk Management”, vlerësoi se sinjalet e ardhura nga administrata Trump mund të jenë pjesë e një strategjie politike në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Ai paralajmëroi se, pavarësisht zhvillimeve diplomatike, sulmet ndaj transportit detar në Ngushticën e Hormuzit vazhdojnë. Për këtë arsye, pritshmëritë për mbajtjen e çmimeve të energjisë në nivele relativisht të larta mbeten ende të vlefshme.