Protestat e nxënësve të shkollave të mesme në Francë kanë vazhduar edhe pas përfundimit të pushimeve dyjavore, megjithëse kthimi në shkolla të hënën u zhvillua kryesisht i qetë.
Në disa qytete, përfshirë Marsejën, Tuluzen dhe Parisin, nxënësit organizuan protesta dhe bllokuan hyrjet e shkollave, duke kundërshtuar masat e paralajmëruara nga qeveria, të cilat i konsiderojnë të pamjaftueshme.
Qeveria franceze ka njoftuar një sërë masash në arsim, përfshirë krijimin e 500 vendeve të reja të punës, anulimin e shkurtimeve të planifikuara në sektorin e arsimit, kufizimin e numrit të nxënësve në klasat përkatëse në 28 dhe krijimin e 15 mijë vendeve shtesë në arsimin e lartë. Gjithashtu, është paralajmëruar zëvendësimi gradual i platformës Parcoursup deri në vitin 2028.
Megjithatë, përfaqësuesit e nxënësve dhe studentëve thonë se këto vendime nuk i përmbushin kërkesat e tyre dhe se mobilizimi do të vazhdojë. Një demonstratë e re është paralajmëruar në Paris për të martën.
Ndërkohë, autoritetet franceze kanë bërë të ditur se do të shtojnë praninë policore pranë shkollave, me qëllim garantimin e sigurisë pas incidenteve të dhunshme të regjistruara gjatë protestave të mëparshme.