Skip to content

Rreth 100 refugjatë në Zvicër jetojnë prej muajsh në strehimore nëntokësore

Rreth 100 refugjatë, kryesisht nga Ukraina, po qëndrojnë prej muajsh në strehimoret nëntokësore të mbrojtjes civile në kantonin Vaud të Zvicrës, për shkak të mungesës së hapësirave të akomodimit.

Kushtet e vështira, mungesa e dritës natyrore, ajrosjes dhe hapësirës, po ndikojnë negativisht në shëndetin fizik dhe mendor të tyre.

Njëri prej refugjatëve, Yuri Smirnov, rreth 40 vjeç, ka deklaruar për transmetuesin zviceran RTS se shëndeti i tij është përkeqësuar ndjeshëm dhe se përjeton makthe, duke kujtuar skena nga lufta në Ukrainë. Për këtë arsye, ai ka vendosur të flejë jashtë strehimores në Clarens.

Në këtë objekt janë vendosur rreth 60 persona, ndërsa një tjetër strehimore në Echallens strehon afërsisht 50 refugjatë.

Institucioni për Pranimin e Migrantëve në Vaud (EVAM) pranon se këto ambiente duhet të përdoren vetëm si zgjidhje e fundit. Megjithatë, mungesa e banesave dhe vështirësitë në gjetjen e objekteve të përshtatshme për akomodim kolektiv po e vështirësojnë situatën.

Sipas EVAM-it, aktualisht në kanton janë të akomoduar 8.906 migrantë, ndërsa për vitin e ardhshëm nevojiten edhe 400 vende të tjera. Institucioni nuk përjashton hapjen e strehimoreve të reja nëntokësore nëse nuk arrin të sigurojë hapësira të mjaftueshme.

Ndërkohë, disa organizata, përfshirë Organizatën Zvicerane për Ndihmën ndaj Refugjatëve, vlerësojnë se strehimoret nëntokësore të mbrojtjes civile nuk janë ambiente të përshtatshme për akomodimin afatgjatë të refugjatëve.