Prodhuesi gjerman i automobilave Audi planifikon të investojë rreth katër miliardë dollarë në fabrikën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Projekti në shtetin e Georgias parashikon krijimin e rreth 4.500 vendeve të punës dhe kapacitet prodhimi deri në 200.000 automjete në vit.
Në fabrikën e re do të prodhohen automjete SUV të segmentit premium, të përshtatura për tregun e Amerikës së Veriut. Prodhimi pritet të nisë në fillim të viteve 2030.
Drejtori ekzekutiv i Audi-t, Gernot Döllner, e ka paraqitur investimin si pjesë të ambicieve afatgjata të kompanisë në tregun amerikan. Sipas tij, kompania ende nuk e ka shfrytëzuar plotësisht potencialin që ofron ky treg, raporton DW, transmeton albinfo.ch.
Georgia është përzgjedhur për shkak të fuqisë punëtore të kualifikuar, rrjetit të furnizuesve dhe infrastrukturës logjistike. Audi synon që prodhimi vendor ta forcojë konkurrueshmërinë dhe të zvogëlojë ekspozimin ndaj rreziqeve tregtare dhe valutore.
Megjithatë, projekti ende kërkon miratimin e organeve përkatëse drejtuese të Volkswagen-it, grupit ku bën pjesë Audi. Volkswagen e ka përshëndetur planin, duke e cilësuar Amerikën e Veriut si treg të rëndësishëm për rritjen e mëtejshme të grupit.