Skip to content

Vijojnë protestat në Tiranë, policia me masa të shtuara sigurie para Ministrisë së Arsimit

Protestuesit janë mbledhur sërish para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, një ditë pas përplasjeve të dhunshme me policinë. Forca të shumta policore dhe autobotë me ujë janë vendosur në zonë.

Protestat kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama po vazhdojnë edhe sot në Tiranë, ku studentë dhe të rinj janë mbledhur sërish para Ministrisë së Arsimit, përcjell albinfo.ch.

Grumbullimi i protestuesve ka nisur pas orës 14:00, ndërsa policia ka shtuar praninë në zonën përreth institucionit, duke vendosur forca të shumta dhe autobotë me ujë.

Në orët e para të tubimit, situata është raportuar e qetë, ndërsa autoritetet kanë mbajtur në gatishmëri forcat e rendit për të parandaluar incidente të mundshme.

Protesta e sotme vjen një ditë pas përplasjeve të dhunshme në kryeqytetin shqiptar, ku protestuesit dhe policia u përballën në disa zona të Tiranës.

Gjatë demonstratës së djeshme, policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e protestuesve, ndërsa disa persona mbetën të lënduar.

Ndër rastet më të rënda ishte lëndimi në sy i një protestuesi 28-vjeçar nga Elbasani, për të cilin autoritetet kanë nisur hetimet.

Studentët dhe të rinjtë që marrin pjesë në protesta vazhdojnë të kërkojnë ndryshime politike dhe përmirësimin e kushteve në arsim, duke shprehur pakënaqësi edhe për gjendjen ekonomike dhe mënyrën e qeverisjes.

Protestuesit kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.

Policia po mban nën vëzhgim situatën, ndërsa protestat po vazhdojnë në kryeqytetin shqiptar./Albinfo.ch