Artistja shqiptare Arbesa Musa, e cila jeton dhe vepron në Zvicër, po prezanton ekspozitën e saj personale me titull “I can wear her skin over mine”, në hapësirën e artit bashkëkohor SALTS, në Birsfelden, pranë Bazelit, shkruan albinfo.ch.
Ekspozita është hapur më 23 shtator dhe do të qëndrojë e hapur deri më 13 nëntor 2026, duke sjellë para publikut zviceran krijimtarinë e artistes me prejardhje nga Kosova.
Arbesa Musa ka lindur në Gjenevë në vitin 1999 dhe është rritur në Ferizaj. Në vitin 2017, ajo u kthye në Zvicër për të vazhduar rrugëtimin e saj artistik. Studimet Bachelor në Artet e Bukura i përfundoi në HEAD, në Gjenevë, ndërsa studimet Master në Artet e Bukura në FHNW, në Bazel.
Si artiste multidisiplinare, Musa përdor forma të ndryshme të shprehjes artistike, përfshirë pikturën, skulpturën, instalacionin, performancën, tekstin dhe punimet artizanale.
Krijimtaria e saj trajton tema që lidhen me identitetin, kujtesën, rolin e gruas në shoqëri, marrëdhëniet familjare dhe trashëgiminë kulturore.
Një vend të veçantë në punën e saj zënë teknikat tradicionale, si qëndisja dhe endja, përmes të cilave artistja eksploron njohuritë dhe përvojat e transmetuara ndër breza nga gratë.
Sipas prezantimit të publikuar nga SALTS, praktika e saj artistike ndërthur kujtesën personale me përvojat kolektive, duke i shndërruar ato në forma të ndryshme të artit bashkëkohor.
Arbesa Musa ka qenë gjithashtu pjesë e skenës artistike në Kosovë. Në vitin 2023, ajo ishte ndër artistët e nominuar për çmimin “Artistët e së nesërmes”, një iniciativë që mbështet artistët e rinj bashkëkohorë.
Përmes ekspozitës së saj në Birsfelden, Musa vazhdon të prezantojë punën e saj artistike në Zvicër, duke ndërthurur përvojat e jetës mes Kosovës dhe Zvicrës me temat e identitetit dhe kujtesës.
Ekspozita “I can wear her skin over mine” mund të vizitohet deri më 13 nëntor 2026, në City SALTS, Hauptstrasse 12, 4127 Birsfelden./Albinfo.ch