Kosova

Kosova eksportoi 100.5 milionë euro mallra në gusht, importoi 668.5 milionë

Deficiti tregtar arriti në 568 milionë euro, ndërsa eksportet mbuluan vetëm 15 për qind të importeve. Eksportet u rritën me 31.9 për qind, ndërsa importet me 9 për qind krahasuar me gushtin e vitit 2025.

Kosova ka regjistruar deficit tregtar prej 568 milionë eurosh gjatë muajit gusht 2026, sipas të dhënave për tregtinë e jashtme të mallrave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të ASK-së, në gusht Kosova eksportoi mallra në vlerë prej 100.5 milionë eurosh, që paraqet rritje prej 31.9 për qind krahasuar me gushtin e vitit 2025.

Në të njëjtën periudhë, importet arritën në 668.5 milionë euro, duke shënuar rritje prej 9 për qind në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Si rezultat, deficiti tregtar në gusht 2026 ishte 568 milionë euro, krahasuar me 536.8 milionë euro në gushtin e vitit 2025. Kjo paraqet rritje prej 5.8 për qind të deficitit tregtar.

Eksportet e Kosovës gjatë kësaj periudhe mbuluan rreth 15 për qind të importeve.

Metalet kryesojnë eksportet

Në strukturën e eksporteve, pjesën më të madhe e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, me 21.8 për qind të totalit.

Pas tyre renditen produktet minerale me 15.5 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 13.3 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 8.8 për qind, si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar me 6.5 për qind.

Ndërsa te importet, pjesën më të madhe e përbëjnë produktet minerale, me 19.8 për qind të importeve të përgjithshme.

Në vijim janë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 13.1 për qind, mjetet e transportit me 11.7 për qind, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 11.5 për qind, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 8 për qind.

BE-ja, destinacioni kryesor tregtar

Eksportet e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian gjatë gushtit arritën në rreth 30 milionë euro, ose 30.2 për qind të eksporteve të përgjithshme. Krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, eksportet drejt BE-së u rritën me 29.8 për qind.

Ndër partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në vendet e BE-së ishin Gjermania, me 10.2 për qind, Italia me 3 për qind dhe Holanda me 2.2 për qind.

Ndërkohë, importet nga vendet e BE-së arritën në rreth 279 milionë euro, duke përbërë 41.7 për qindtë importeve të përgjithshme. Krahasuar me gushtin e vitit 2025, importet nga BE-ja u rritën me 6.6 për qind.

Partnerët kryesorë të Kosovës për importet nga BE-ja ishin Gjermania, me 13.6 për qind, Italia me 4.2 për qind dhe Polonia me 3.7 për qind./Albinfo.ch