Kosova

Për të shtatën natë radhazi vazhdojnë protestat në Prishtinë

Mijëra qytetarë janë mbledhur sërish në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke vazhduar protestat kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protestuesit kanë bartur flamuj të Kosovës, UÇK-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa në pankartat e tyre janë parë mesazhe si “Jo në emrin tim” dhe “Liria ka emër”. Ata kanë kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Protestat në kryeqytet kanë nisur më 16 shtator, ditën kur trupi gjykues i Dhomave të Specializuara shpalli aktgjykimin ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së. Tubimi i kësaj nate vjen një ditë pas protestës së radhës, ku po ashtu morën pjesë mijëra qytetarë.

Në ditët e fundit, protesta dhe tubime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë zhvilluar edhe në diasporë. Manifestime janë raportuar në Gjermani, Zvicër, Austri dhe Kanada, ndërsa kundërshtime ndaj aktgjykimit janë shprehur edhe nga shqiptarë në vende të tjera.

Sipas aktgjykimit të 16 shtatorit, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet. Në total, dënimet arrijnë në 81 vjet burgim.

Katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë për disa vepra penale që lidhen me krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, procesi pritet të vazhdojë në shkallën e Apelit, ku mbrojtja pritet të paraqesë ankesat e saj.