Kosova

“Jo në emrin tim”: Prishtina mbushet edhe sonte me qytetarë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë është mbushur me qytetarë në protestën e pestë me moton “Jo në emrin tim”, të organizuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

Gjatë protestës, në shesh është shpalosur një flamur gjigant kuqezi, ndërsa protestuesit kanë brohoritur vazhdimisht “UÇK”. Në mesin e pjesëmarrësve kanë qenë edhe familjarë të ish-krerëve të UÇK-së.

Protestuesit kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rrisë mbështetjen financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në proceset gjyqësore në Hagë.

Në protestë janë parë edhe figura publike dhe familjarë të ish-krerëve. Këngëtari Ledri Vula është ngjitur në skenë dhe i është drejtuar turmës me moton “Jo në emrin tim”.

Në mesin e të pranishmëve kanë qenë Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, Klestor Veseli, djali i Kadri Veselit, si dhe Endrit Thaçi, djali i Hashim Thaçit.

Në fjalimet e mbajtura gjatë protestës është folur për rolin e ish-pjesëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së në historinë e Kosovës. Vlora Jashari, vajza e ish-komandantit Sahit Jashari, ka deklaruar se historia e Kosovës nuk mund të përcaktohet nga një aktgjykim.

Veterani i UÇK-së, Bekim Shyti, ka vlerësuar kontributin e ish-krerëve të UÇK-së, duke folur për rolin e tyre në periudhën e luftës dhe në historinë e Kosovës.

Në protestë ka marrë fjalën edhe një nxënës nga Prishtina, i cili është shprehur në emër të nxënësve të kryeqytetit.

Në përmbyllje të tubimit, qytetarët kanë ndezur flakadanë, ndërsa në shesh është dëgjuar kënga “Mora fjalë”.

Pas përfundimit të protestës, në rrugët e Prishtinës kanë vazhduar të qarkullojnë kolona automjetesh të stolisura me flamuj kuqezi.

Policia e Kosovës ka qëndruar në gatishmëri pas përfundimit të protestës, me qëllim të garantimit të rendit dhe sigurisë.