Lajme

Zvicra shqyrton masa ndaj rrezikut nga “Bli tani, paguaj më vonë”

Berni po shqyrton masa për të rritur mbrojtjen e konsumatorëve nga rreziku i borxheve që mund të shkaktohen nga shërbimet “Bli tani, paguaj më vonë”.

Modeli i pagesës me këste, i njohur si “Buy now, pay later”, po ngre shqetësime në Zvicër për shkak të rrezikut që konsumatorët të grumbullojnë detyrime financiare pa e vlerësuar siç duhet aftësinë e tyre për t’i shlyer.

Sipas deputetit federal dhe presidentit të Dettes Conseils Suisse, Raphaël Mahaim, shërbime të tilla ofrohen edhe nga kompani si Twint dhe Cornercard. Ai tha se në Zvicër ky treg gjeneron rreth 2 miliardë në të ardhura.

Mahaim theksoi se konsumatorët mund të përballen me tarifa shtesë, interesa dhe procedura ligjore në rast të vonesave në pagesa. Rreziku konsiderohet më i madh kur bëhen disa blerje me këste njëkohësisht.

Një tjetër shqetësim lidhet me mënyrën se si disa kompani i strukturojnë pagesat. Sipas Mahaim, në disa raste pagesat ndahen në disa fatura, duke shmangur kontrollet që kërkohen për kreditë konsumatore.

Në Zvicër, për kredi të vogla mbi 500 franga, ofruesit duhet të kontrollojnë gjendjen ekonomike të klientit.

Këshilli Federal po shqyrton aktualisht dy propozime që synojnë vlerësimin e rreziqeve të borxheve dhe forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve.