Kosova

Parlamenti Studentor thërret marsh paqësor kundër aktgjykimit të Speciales

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin paqësor që do të mbahet më 21 shtator në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Marshi do të nisë në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve, prej nga pjesëmarrësit do të marshojnë drejt sheshit “Skënderbeu”. Në orën 12:00 është paraparë që përfaqësuesit e studentëve të mbajnë edhe fjalime.

Flon Kastrati nga Parlamenti Studentor ka deklaruar se marshi synon të jetë një thirrje për unitet, dinjitet dhe solidaritet. Ai ka bërë të ditur se studentët e Universitetit të Prishtinës, së bashku me studentë nga universitete të tjera publike dhe private, kanë përgatitur edhe një memorandum me gjashtë pika, i cili do të lexohet dhe publikohet pas përfundimit të marshit, përcjell albinfo.ch.

Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit dhe kanë kërkuar mbështetje për ish-krerët e UÇK-së deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Ata kanë bërë gjithashtu thirrje për bashkëpunim dhe unitet mes subjekteve politike në vend.

Studentët kanë kërkuar edhe monitorim të procesit gjyqësor në Hagë nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ndërsa u kanë bërë thirrje organizatave rinore dhe përfaqësuesve të të rinjve që të koordinohen për veprime të përbashkëta.