Lajme

Zvicra miraton strategjinë e re të sigurisë, 46 masa për forcimin e mbrojtjes

Këshilli Federal ka miratuar Strategjinë e Politikës së Sigurisë 2026, e cila synon forcimin e qëndrueshmërisë së vendit, mbrojtjen e popullsisë dhe infrastrukturës kritike, si dhe rritjen e aftësive mbrojtëse

Qeveria zvicerane ka miratuar të premten Strategjinë e Politikës së Sigurisë 2026, duke riorientuar politikën e vendit përballë një situate ndërkombëtare që autoritetet e konsiderojnë gjithnjë e më të paqëndrueshme.

Strategjia e re bazohet në konceptin e “sigurisë gjithëpërfshirëse”, që përfshin përdorimin dhe koordinimin e burimeve civile dhe ushtarake, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Ajo mbështetet në tri drejtime kryesore. Së pari, synohet forcimi i qëndrueshmërisë së shtetit, ekonomisë dhe shoqërisë përmes zvogëlimit të dobësive dhe varësive kritike. Së dyti, parashihet përmirësimi i mbrojtjes së popullsisë, institucioneve dhe infrastrukturës kritike. Drejtimi i tretë është rritja e aftësive mbrojtëse të Zvicrës për t’iu përgjigjur një sulmi të armatosur, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me shtetet partnere.

Këto tri prioritete do të zbatohen përmes 10 objektivave dhe 46 masave konkrete.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përballimit të kërcënimeve hibride, mbrojtjes nga sulmet në distancë dhe luftimit të krimit të organizuar në kuadër të sigurisë së brendshme.

Strategjia mori mbështetje të gjerë nga partitë politike gjatë procesit të konsultimit, megjithëse u kërkua që masat të kenë prioritete më të qarta financiare dhe kohore. Është krijuar gjithashtu një komitet drejtues me përfaqësues të Konfederatës dhe kantoneve.

Një tjetër fushë ku Zvicra synon të rrisë kapacitetet është mbrojtja nga dronët. Parlamenti kishte kërkuar veprime të menjëhershme kundër kërcënimeve të tilla, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Martin Pfister, ka bërë të ditur synimin për krijimin e një batalioni të dronëve deri në vitin 2028.

Zbatimi i masave koordinohet nga Sekretariati Shtetëror për Politikën e Sigurisë në kuadër të Departamentit Federal të Mbrojtjes. Deri në fund të vitit 2028, Këshillit Federal pritet t’i dorëzohet një raport mbi progresin në zbatimin e strategjisë së re.