Lajme

Zvicra mund t’ua hapë linjat ajrore të brendshme kompanive të huaja

Kompanitë ajrore nga Bashkimi Evropian dhe vendet e EFTA-s mund të lejohen në të ardhmen të operojnë fluturime të brendshme në Zvicër. Në fokus është veçanërisht rikthimi i një lidhjeje ajrore mes Gjenevës dhe Luganos

Këshilli i Shteteve ka miratuar më 16 shtator ndryshime që do t’u mundësonin kompanive ajrore me seli në Bashkimin Evropian ose në vendet e EFTA-s, si Norvegjia dhe Islanda, të operojnë linja brenda territorit zviceran.

Megjithatë, një mundësi e tillë do të lejohej vetëm në raste të veçanta, konkretisht kur asnjë kompani zvicerane nuk është e interesuar të operojë linjën. Një tjetër kusht do të ishte që lidhja ndërmjet dy destinacioneve të mos konsiderohet praktike për t’u realizuar me tren, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, në Zvicër funksionon vetëm një lidhje e rregullt ajrore e brendshme, ajo ndërmjet Cyrihut dhe Gjenevës, e operuar nga SWISS. Diskutimet e fundit janë përqendruar kryesisht te mundësia e rikthimit të linjës Gjenevë–Lugano, pasi udhëtimi mes këtyre dy qyteteve zgjat rreth pesë orë me tren.

SWISS kishte operuar më parë fluturime drejt Luganos nga Gjeneva dhe Cyrihu, por ato u ndërprenë në vitin 2017 për shkak të mungesës së kërkesës së qëndrueshme. Deputeti nga Ticino, Fabio Regazzi, një nga nismëtarët e propozimit, argumenton se rikthimi i fluturimeve drejt Luganos mund të ndihmojë ekonominë e kantonit.

Propozimi ka edhe kundërshtarë. Deputeti i të Gjelbërve, Mathias Zopfi, ka ngritur shqetësime për ndikimin klimatik të zgjerimit të fluturimeve të brendshme dhe ka argumentuar se Zvicra duhet të synojë reduktimin e udhëtimeve ajrore.

Pas miratimit në Këshillin e Shteteve, çështja pritet të shqyrtohet edhe nga Këshilli Kombëtar.