Kosova

Kusari-Lila diskuton me përfaqësues nga Gjermania për investime në Kosovë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar një takim me përfaqësues nga Gjermania, ku në fokus ishin mundësitë për bashkëpunim ndërmjet kompanive kosovare dhe gjermane dhe investimet në Kosovë.

Në takim morën pjesë Klaus Nachtigall, ekspert i sigurisë me përvojë profesionale në Gjermani dhe Kosovë, si dhe Fitim Gashi nga BEAM Construction GmbH, kompani me seli në Mönchengladbach të Gjermanisë.

Sipas Kusari-Lilës, gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e investimeve në energjinë e ripërtëritshme, parqet industriale dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne përcjellëse, përcjell albinfo.ch.

Ajo ka theksuar se Kosova është e hapur për investime dhe ka potencial për zhvillim ekonomik, duke përmendur kapacitetet njerëzore dhe fuqinë e re punëtore. Digjitalizimi i industrisë përmes eko-parqeve teknologjike, si dhe siguria dhe mbrojtja e të dhënave digjitale, ishin gjithashtu pjesë e diskutimit.

“Agjenda jonë synon ndërtimin e një ekonomie ku teknologjia, inovacioni dhe ndërmarrësia krijojnë mundësi dhe vende të reja pune”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo ka vlerësuar se bashkëpunimi me partnerët gjermanë, në veçanti me bashkatdhetarët që veprojnë atje, mund të sjellë në Kosovë përvojë, dije dhe kapital të ri.

Kusari-Lila edhe më herët ka zhvilluar takime me përfaqësues të komunitetit të biznesit gjermano-kosovar, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve.