Lajme

Rekord i ri në Zvicër: Udhëtimet me tren arrijnë nivelin më të lartë

Transporti hekurudhor i udhëtarëve në Zvicër ka shënuar rekord të ri gjatë vitit 2025, duke arritur në 23.7 miliardë pasagjerë-kilometra. Krahasuar me një vit më parë, kërkesa për udhëtime me tren është rritur me 3.2 për qind

Gjithnjë e më shumë njerëz po përdorin trenat në Zvicër. Të dhënat e fundit të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (BFS) tregojnë se gjatë vitit 2025 kompanitë hekurudhore regjistruan gjithsej 23.7 miliardë pasagjerë-kilometra, duke vendosur një rekord të ri.

Termi “pasagjer-kilometër” përdoret për të matur transportin e një udhëtari në një distancë prej një kilometri, transmeton albinfo.ch.

Në krahasim me vitin 2024, kur ishin regjistruar 22.9 miliardë pasagjerë-kilometra, kërkesa për transport hekurudhor është rritur me 3.2 për qind, ose rreth 737 milionë pasagjerë-kilometra më shumë. Edhe në vitin 2024 ishte regjistruar një rritje prej 3.1 për qind krahasuar me vitin 2023.

Përdorimi i trenave në rritje afatgjatë

Të dhënat tregojnë se përdorimi i transportit hekurudhor në Zvicër është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, pavarësisht rënies së madhe të shkaktuar nga pandemia.

Në vitin 2020, në kulmin e kufizimeve pandemike, transporti hekurudhor ra në vetëm 13.3 miliardë pasagjerë-kilometra. Megjithatë, rikuperimi ishte i shpejtë dhe që në vitin 2023 përdorimi i trenave kishte tejkaluar nivelet e regjistruara para pandemisë.

Rritja vërehet edhe te Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB/CFF/FFS). Gjatë vitit 2025, ato transportuan mesatarisht 1.43 milion udhëtarë në ditë, krahasuar me 1.39 milion në vitin 2024.

Vetura vazhdon të dominojë

Pavarësisht rekordit të hekurudhave, transporti privat motorik, kryesisht me vetura, vazhdon të dominojë mobilitetin në Zvicër.

Sipas të dhënave për vitin 2024, transporti privat motorik përbënte 70.6 për qind të mobilitetit të përgjithshëm, me 94.6 miliardë pasagjerë-kilometra. Hekurudhat përbënin 17.2 për qind të totalit.

Në përgjithësi, transporti publik – duke përfshirë trenat, autobusët, tramvajet, teleferikët dhe transportin ujor – përbënte 21.1 për qind të mobilitetit të udhëtarëve në Zvicër.

Brenda transportit publik, hekurudhat mbeten forma kryesore e udhëtimit, duke përfaqësuar më shumë se 81 për qind të pasagjerë-kilometrave të realizuar me transport publik.