Kosova

Protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë para Qeverisë, kërkojnë qëndrim nga institucionet

Protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë në qendër të Prishtinës pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Qytetarët, të cilët fillimisht u mblodhën në lokacione të tjera në kryeqytet, janë zhvendosur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku po vazhdojnë protestën. Në zonën pranë Qeverisë dhe Presidencës janë vendosur kordonë sigurie, ndërsa situata po përcillet nga autoritetet.

Protestuesit po kërkojnë reagim dhe qëndrim nga institucionet e Kosovës pas aktgjykimit të shpallur të mërkurën në Hagë.

Më herët gjatë ditës, një pjesë e protestuesve ishin mbledhur para ish-selisë së EULEX-it në Prishtinë, ku kundërshtuan aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjatë ditës në qendër të Prishtinës është raportuar prani e shtuar e qytetarëve dhe e forcave të rendit. Kordonë sigurie janë vendosur në afërsi të institucioneve kryesore të vendit.

Protestat pasuan shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.