Në orët para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është shtuar prania dhe mobilizimi i forcave policore pranë selisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, transmeton albinfo.ch.
Fotografitë e realizuara në vendngjarje tregojnë një prani më të madhe të policisë në zonën përreth gjykatës, ku sot pritet të shpallet vendimi.
Aktgjykimi nis në orën 10:00
Shpallja e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është caktuar për sot, më 16 shtator, në orën 10:00, në një seancë publike.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara, seanca është planifikuar të zgjasë deri në orën 12:00.
Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nisi në prill të vitit 2023, ndërsa deklaratat përmbyllëse u mbajtën në shkurt të vitit 2026.
Ata përballen me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të cilat lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998–1999.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm ndaj të gjitha akuzave./Albinfo.ch
