Kosova

SHBA: Vonesat institucionale në Kosovë po pengojnë agjendën e përbashkët

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës, por vlerësojnë se ngërçi i zgjatur politik po pengon avancimin e agjendës së përbashkët mes dy vendeve.

Zgjedhjet e përsëritura, periudha e gjatë me qeveri në detyrë dhe vonesat në formimin e institucioneve në Kosovë kanë ndikuar në avancimin e prioriteteve të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara.

Këto qëndrime janë pjesë e deklaratës së përgatitur të zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Lawton, për dëshminë e tij para Nënkomisionit për Evropën të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, transmeton albinfo.ch.

Uashingtoni u ka bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që ta përmbyllin procesin e formimit të institucioneve në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës. Lawton ka ngritur edhe shqetësime lidhur me trajtimin e komunitetit serb, duke theksuar se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të gëzojnë të drejta dhe mbrojtje të barabartë nga ligji.

Ai ka theksuar edhe rolin e rëndësishëm të misionit të NATO-s, KFOR, në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë, ku vazhdojnë të kontribuojnë edhe forcat amerikane.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Lawton vlerëson se normalizimi i marrëdhënieve dhe ruajtja e paqes ndërmjet dy vendeve janë thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ai vlerëson se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka ngecur për shkak të mungesës së vullnetit të mjaftueshëm politik nga të dyja palët.