Lajme

Parlamenti zviceran miraton 400 milionë franga shtesë për avionët luftarakë F-35

Në kuadër të sesionit vjeshtor, Parlamenti i Zvicrës ka miratuar 400 milionë franga shtesë për programin e avionëve luftarakë F-35. Ndërkohë, gjatë javëve në vijim priten debate të forta edhe për marrëveshjen Mercosur, Bilateralet III dhe financimin e ushtrisë.

Sesioni vjeshtor i Parlamentit zviceran ka nisur më 14 shtator dhe do të vazhdojë deri më 2 tetor, me një varg temash të rëndësishme në agjendën politike të vendit, përcjell albinfo.ch.

Një prej çështjeve që ka marrë vëmendje të veçantë është blerja dhe financimi i avionëve luftarakë F-35. Parlamenti ka vendosur të ndajë edhe 400 milionë franga shtesë për këtë program.

Vendimi vjen në një periudhë kur çështjet e sigurisë dhe financimit të ushtrisë janë kthyer në një prej temave kryesore të debatit politik në Zvicër.

Debate të forta priten në Parlament

Gjatë sesionit vjeshtor, deputetët dhe senatorët zviceranë pritet të përballen me disa dosje të rëndësishme.

Në mesin e temave që pritet të shkaktojnë diskutime të mëdha janë marrëveshja Mercosur, Bilateralet III, financimi i ushtrisë dhe e ashtuquajtura “Lex UBS”.

Në agjendë janë gjithashtu çështje që prekin drejtpërdrejt sistemin shëndetësor dhe qytetarët, përfshirë dosjen digjitale të pacientit dhe propozimet për kufizimin e pagave të drejtuesve të kompanive të sigurimeve shëndetësore.

Sesioni i sivjetshëm vjeshtor i Parlamentit Federal do të zhvillohet në Bernë deri më 2 tetor, ndërsa vendimet e marra gjatë këtyre tri javëve pritet të kenë ndikim në disa prej politikave kryesore të Zvicrës. /Albinfo.ch