Kosova

Edhe Franca u bën thirrje shtetasve të saj në Kosovë: Tregoni vigjilencë dhe shmangni tubimet

Ministria e Jashtme e Francës ka paralajmëruar shtetasit francezë që ndodhen në Kosovë që të tregojnë kujdes të shtuar më 16 shtator, ditën kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Franca u ka bërë thirrje shtetasve të saj në Kosovë që të tregojnë vigjilencë dhe të shmangin tubimet e mëdha, në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, transmeton albinfo.ch.

Në një njoftim të Ministrisë së Jashtme franceze thuhet se më 16 shtator, duke filluar nga ora 10:00, janë planifikuar tubime të mëdha politike në qytetet e Kosovës.

“Tubime – Thirrje për vigjilencë. Më 16 shtator, duke filluar nga ora 10:00, janë planifikuar tubime të mëdha politike në të gjitha qytetet e Kosovës. Shtetasit francezë këshillohen të qëndrojnë larg këtyre tubimeve”, thuhet në njoftim.

Autoritetet franceze u kanë rekomanduar gjithashtu shtetasve të tyre që të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme brenda qyteteve dhe në të gjithë territorin e Kosovës deri në fund të ditës.

Thirrja e Francës vjen një ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Edhe SHBA-ja kishte paralajmëruar qytetarët e saj

Një paralajmërim të ngjashëm e kishte bërë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Të hënën, Ambasada amerikane u kishte bërë thirrje shtetasve të SHBA-së që më 16 shtator të shmangin lëvizjet pranë zonave ku mund të zhvillohen demonstrata.

Po ashtu, për shkak të situatës së pritshme gjatë ditës së shpalljes së aktgjykimit, personelit të Ambasadës amerikane i ishte rekomanduar që të mërkurën të mos i dërgonte fëmijët në shkollë.

Shpallja e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit pritet të shoqërohet me tubime mbështetëse në Kosovë, ndërsa institucionet dhe përfaqësitë diplomatike u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe shtetasve të huaj që të tregojnë kujdes gjatë kësaj dite. /Albinfo.ch