Kosova

Policia e Kosovës sqaron masat e sigurisë: Janë pjesë e procedurave të rregullta

Policia e Kosovës ka reaguar të dielën lidhur me masat e sigurisë që janë ndërmarrë në vend, duke theksuar se bëhet fjalë për procedura të zakonshme policore dhe jo për ndonjë situatë të jashtëzakonshme.

Reagimi erdhi pas disa raportimeve në media dhe rrjete sociale, ku pretendohej se Kosova po “blindohet” në prag të një vendimi të Gjykatës Speciale në Hagë.

Sipas Policisë së Kosovës, planifikimi i masave të sigurisë është pjesë e punës së rregullt kur priten aktivitete publike, tubime apo pjesëmarrje e madhe e qytetarëve. Këto masa synojnë menaxhimin e sigurt të grumbullimeve, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, menaxhimin e trafikut dhe sigurimin e mbarëvajtjes së aktiviteteve.

Policia bëri të ditur se gjatë vlerësimeve të situatës merret parasysh edhe mundësia që persona ose grupe të caktuara, përfshirë individë nga jashtë Kosovës, të mundohen të shfrytëzojnë tubimet e mëdha për të shkaktuar incidente apo tensione.

Institucioni policor theksoi se këto masa janë parandaluese dhe standarde dhe përcaktohen në bazë të numrit të pjesëmarrësve dhe vlerësimit të përgjithshëm të situatës.

Në fund, Policia e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve dhe mediave që të informohen përmes burimeve zyrtare dhe të mos shpërndajnë informacione të pakonfirmuara, veçanërisht ato që mund të krijojnë shqetësim ose perceptim të gabuar për situatën e sigurisë në vend.