Shqipëria
Shqipëria, me rënien më të madhe të lindjeve në Evropë
Shqipëria ka shënuar rënien më të madhe të lindjeve në Evropë, nga viti 1997, ndërsa i gjithë rajoni ka zbritur nën nivelin e zëvendësimit të popullsisë
Në fillim të viteve ’90, harta demografike e Ballkanit Perëndimor nuk ishte aspak uniforme. Shqipëria dhe Kosova hynin në dekadë me nivele ende të larta lindshmërie, ndërsa Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe, pjesërisht, Maqedonia e Veriut e kishin nisur shumë më herët tranzicionin drejt familjeve më të vogla.
Pra, ideja se i gjithë rajoni “lindte shumë” deri në vitet ’90 është vetëm pjesërisht e vërtetë, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.
Në vitin 1990, norma e fertilitetit ishte rreth 3 fëmijë për grua në Shqipëri dhe 3.67 në Kosovë, por vetëm 1.65 në Serbi, 1.79 në Bosnjë-Hercegovinë, 1.95 në Malin e Zi dhe 2.27 në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.
Në tri dekadat që pasuan, rënia e lindjeve në të gjithë Ballkanin Perëndimor ka qenë e shpejtë. Nga viti 1997, kur ka të dhëna të disponueshme për të gjitha shtetet, deri në vitin 2025, Shqipëria ka shënuar tkurrjen më të fortë të numrit të lindjeve, me 63.5%, nga 61.7 mijë në 22.5 mijë.
Pas saj vijnë Kosova, me një rënie rreth 48.6%, Maqedonia e Veriut me 46.2%, Bosnjë-Hercegovina me 45.7%, Serbia me 25.4% dhe Mali i Zi me 20.9%, bazuar në të dhënat e përpunuara nga Eurostat. Shqipëria ndodhet kështu në skajin më të fortë të një prirjeje që ka përfshirë të gjithë rajonin.
Të dhënat të tjera më të detajuara të Eurostat për gjithë Evropën, të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se në periudhën 1997-2025, Shqipëria ka shënuar jo vetëm tkurrjen më të lartë të lindjeve në rajon, por në të gjithë Evropën.
Në vend të dytë dhe të tretë janë shtetet e ish Bashkimit Sovjetik, Lituania (-53%) dhe Moldavia (-51%) dhe më pas stafetën e vazhdon Ballkani, me Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjë Hercegovinën.
Në të gjithë Evropën, në tre dekadat e fundit vetëm tre shtete kanë arritur të rrisin lindjet: Suedia (+7.7%), Islanda (+5.7%) dhe Irlanda (+2.9%).
Edhe lindjet për 1,000 banorë kanë rënë ndjeshëm
Rënia, që po përjeton rajoni bëhet edhe më e qartë kur numri i lindjeve vendoset në raport me popullsinë. Në mesin e viteve ’90, diferencat mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin shumë të mëdha.
Shqipëria regjistronte 21.7 lindje për 1,000 banorë dhe Kosova 21.4, ndërsa Serbia ishte në vetëm 10.8, Bosnjë-Hercegovina në 12 dhe Mali i Zi në 15, sipas serive kohore të publikuara nga Eurostat.
Deri në vitin 2025, këto diferenca janë ngushtuar ndjeshëm, por jo sepse vendet me lindshmëri më të ulët janë përmirësuar. Përkundrazi, pjesa më e madhe e rajonit ka konverguar drejt niveleve shumë më të ulëta.
Kosova vijon të ketë normën më të lartë, me 12.8 lindje për 1,000 banorë, e ndjekur nga Mali i Zi me 11.1. Shqipëria ka zbritur në 9.6, Serbia në 9.1 dhe Maqedonia e Veriut në 8.7, ndërsa Bosnjë-Hercegovina është në 7.7 lindje për 1,000 banorë, në të njëjtin nivel me mesataren e Bashkimit Evropian.
Tkurrja më e fortë në raport me popullsinë është regjistruar në Shqipëri, ku norma është më shumë se përgjysmuar, nga 21.7 në 9.6 lindje për 1,000 banorë. Rënie e lartë është shënuar edhe në Kosovë, nga 21.4 në 12.8, dhe në Maqedoninë e Veriut, nga 15.8 në 8.7.
Ky tregues pasqyron jo vetëm faktin që familjet po lindin më pak fëmijë, por edhe ndryshimin e strukturës së popullsisë. Emigracioni, plakja dhe tkurrja e brezave të rinj kanë ulur numrin e grave në moshë riprodhuese, duke e përforcuar rënien e lindjeve në raport me popullsinë.
Edhe stili i jetesës ka ndryshuar dukshëm, me gratë që lindin më vonë, familje më të vogla, duke qenë një faktor i rëndësishëm shtesë.
I gjithë Ballkani Perëndimor, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës, vazhdon ende të ketë lindje për 1000 banorë më të lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, prej 7.7.
Në të njëjtën kohë, numri absolut i lindjeve dhe lindjet për 1,000 banorë nuk duhen lexuar të shkëputura nga fertiliteti. Një vend mund të ketë një normë relativisht më të lartë fertiliteti dhe përsëri të regjistrojë më pak foshnja, nëse brezi i grave në moshë riprodhuese është tkurrur.
Kjo është arsyeja pse përmirësimi i lehtë i fertilitetit në Serbi në vitet e fundit nuk është përkthyer domosdoshmërisht në më shumë lindje dhe pse rishikimi i popullsisë në Shqipëri e ngriti statistikisht normën e fertilitetit në vitin 2024, pa ndryshuar faktin se numri i foshnjave vazhdoi të bjerë.
Sot, i gjithë Ballkani Perëndimor ka zbritur nën nivelin e dy fëmijëve për grua. Tkurrja më e fortë krahasuar me fillimin e viteve ’90 është regjistruar në Kosovë dhe Shqipëri.
Mali i Zi ka tashmë normën më të lartë të fertilitetit në rajon, me 1.75 fëmijë për grua, ndërsa më e ulëta është në Bosnjë-Hercegovinë, me 1.49.
Megjithatë, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten mbi mesataren e Bashkimit Evropian prej 1.34 fëmijësh për grua, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme për vitin 2024 nga Eurostat.
Nga familja e madhe te financimi i lindjeve
Kriza e sotme ka një pikënisje të ndryshme për secilin vend, por një destinacion të përbashkët: fertilitet nën nivelin e zëvendësimit dhe breza familjesh gjithnjë e më të vogla.
Sot, qeveritë e rajonit përpiqen ta zbusin këtë kthesë me çek për të porsalindurin, pagesa mujore, kompensim page gjatë lejes prindërore, subvencione banese, kopshte dhe tekste shkollore falas.
“Monitor” ka analizuar paketat mbështetëse që po zbaton rajoni, në një artikull të përbashkët me korrespondentët e saj në rajon, në kuadër të rubrikës “Western Balkans Monitor”, që mbështetet nga Programi Rajonal i GIZ-it #SustainMedia, i financuar nga Bashkimi Europian (BE) dhe Qeveria Gjermane (BMZ).
Politikat nuk kanë të njëjtën logjikë. Disa janë universale, të tjera u takojnë vetëm familjeve me të ardhura të ulëta. Disa paguhen menjëherë pas lindjes, ndërsa të tjera shtrihen për dhjetë vjet. Në Bosnjë, e njëjta familje mund të marrë shumë më tepër, ose më pak, vetëm sepse jeton në një kanton tjetër.
Serbia ka paketën më bujare të pagesave të lidhura me rendin e lindjes: rreth 4,260 euro për fëmijën e parë, 5,112 euro për të dytin, 19,427 euro për të tretin dhe 27,095 euro për të katërtin. Shqipëria jep përkatësisht 40 mijë, 80 mijë dhe 120 mijë lekë, por vetëm një herë.
Maqedonia e Veriut jep rreth 80 euro për fëmijën e parë dhe 325 euro për të dytin; mbështetja më e gjatë, rreth 150 euro në muaj për dhjetë vjet për fëmijën e tretë, kushtëzohet nga niveli i të ardhurave të familjes.
Kosova nuk e ka ndërtuar sistemin mbi një çek të madh lindjeje, por mbi shtesa mujore. Jepen 20 euro për secilin fëmijë në familjet me një ose dy fëmijë dhe 30 euro për secilin në familjet me tre ose më shumë, deri në moshën 16 vjeç. Mali i Zi jep 30 euro në muaj për çdo fëmijë deri në 18 vjeç.
Që nga mesi i vitit 2024, pagesa shtetërore në lindje është 1,112 euro për fëmijën e parë, 1,669 euro për të dytin, 2,225 euro për të tretin dhe 2,782 euro për të katërtin dhe çdo fëmijë pas tij; shumica e komunave shtojnë edhe 100 deri mbi 1,000 euro.
Bosnjë-Hercegovina nuk ka një shifër kombëtare. Në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës, pagesa federale është 1,000 marka të konvertueshme, ose rreth 511 euro, për çdo të porsalindur.
Mbi të mund të shtohen pagesa kantonale dhe bashkiake.
Ballkani nuk po humbet vetëm banorë të sotëm. Po humbet edhe lindjet që do të kishin ndodhur nesër.
E-Diaspora
-
Fondacioni “Bajrije Ljama”, mbështetje konkrete për studentët në Maqedoninë e Veriut Pas 16 studentëve të mbështetur vitin e kaluar, këtë vit numri i përfituesve nga Fondacioni "Bajrije... -
Më 25 shtator 2026, grupi “Minatori” do të performojë live në Zvicër -
“Jo në emrin tim”, shqiptarët mblidhen për protestën e 27 shtatorit në Gjenevë -
Ansambli “Trojet” organizon mbrëmje festive për 28 Nëntorin në Winterthur -
“DUA” në Zurich Film Festival, filmi i Blerta Bashollit në garën ndërkombëtare
Jeta në Austri
-
Në Austri ndryshojnë kufijtë e tatimit, punëtorëve mund t’u rritet paga neto Nga 1 janari 2027, kufijtë e kategorive të tatimit mbi të ardhurat do të rriten me... -
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje











